Rreth 15 minuta pas reagimit të tij ndaj një raportimi për shëndetin dhe qëndrueshmërinë, Trumpi dukej se po luftonte për t’i mbajtur sytë hapur ndërsa sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, vlerësonte luftërat e tij tregtare dhe përshëndeste “kabinetin më të madh ndonjëherë për presidentin më të madh ndonjëherë”.
Në fillim të një mbledhjeje të kabinetit të tij, pak pas mesditës sipas kohës lokale të martën, presidenti amerikan, Donald Trump, përsëriti referencën e tij për ish-presidentin Joe Biden “Sleepy Joe” ( Joe i përgjumur, term të cilin Trumpi e ka përdorur në mënyrë përçmuese për Bidenin v.j.).
Pastaj ai siguroi se ishte “më i mprehtë sesa 25 vjet më parë”, ndërsa e qortoi “The New York Timesin” për një artikull të gjatë dhe të detajuar javën e kaluar ku shpjegohej se si presidenti 79-vjeçar duket se reflekton një ritëm më të ulët gjatë mandatit të tij të dytë.
“Trumpi është i mprehtë, por ata nuk janë të mprehtë”, tha Trumpi për gazetën.
Ai i qortoi gazetarët për atë që e quajti trajtim të padrejtë kur bëhet fjalë për shëndetin dhe qëndrueshmërinë e tij, duke shtuar: “Ju njerëz jeni të çmendur”.
Por gjatë një ore e gjysmë në vijim, Trumpi luftoi për të mishëruar mprehtësinë dhe energjinë që sapo kishte pretenduar.
Në fakt, ai dukej se zhvillonte një betejë të gjatë dhe shpesh humbëse me një sy gjumë në mesditë. Edhe ndërsa kabineti i tij ishte mbledhur për t’u angazhuar në një nga aktivitetet e tij të preferuara, duke i thurur lavde Trumpit, ai dukej vazhdimisht se dremiste.

Në fakt, ishte lloji i skenës që Trumpi dikur e tallte si provë të mungesës së qëndrueshmërisë dhe aftësisë së një presidenti për punën.
Rreth 15 minuta pas reagimit të tij ndaj raportimit për shëndetin dhe qëndrueshmërinë, Trumpi dukej se po luftonte për t’i mbajtur sytë hapur ndërsa sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, vlerësonte luftërat e tij tregtare dhe përshëndeste “kabinetin më të madh ndonjëherë për presidentin më të madh ndonjëherë”.
Kapakët e syve të Trumpit dukeshin se po ngadalësoheshin gjithnjë e më shumë ndërsa dëgjonte sekretarin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban, Scott Turner dhe më pas sekretaren e Bujqësisë, Brooke Rollins. Vështirësia u bë edhe më e madhe kur dëgjoi sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, sekretaren e Punës, Lori Chavez-DeRemer dhe administratorin e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Lee Zeldin.
Në kohën kur folën sekretarja e Arsimit, Linda McMahon dhe sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., Trumpi dukej i ngrirë, me sytë e mbyllur për 10 deri në 15 sekonda, përpara se të lëvizte sytë ose të tundte kokën.
Përgjumja e theksuar
Pak para orës 13:45, gjendja e tij ishte e njëjtë edhe kur fliste sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili lavdëronte përpjekjet e Trumpit për t’u dhënë fund luftërave. Përveçse këtë herë, përgjumja e dukshme e Trumpit ishte më e theksuar sepse ai ishte ulur pranë sekretarit dhe kamerat ishin të fokusuara te të dy. (Folësit e mëparshëm kishin qenë më të distancuar nga Trumpi).
Në fund të monologut të Rubios, sekretari i Shtetit bëri një shaka rreth asaj se si tani jemi në “kohën më të mrekullueshme dhe magjike të vitit, dhe me këtë, sigurisht, po i referohem Playoff-it të Futbollit Universitar”.
Nuk është e qartë nëse Trumpi e dëgjoi shakanë.
I pyetur për skenën të martën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, pohoi se Trumpi kishte “dëgjuar me vëmendje dhe kishte drejtuar të gjithë mbledhjen maratonike triorëshe të kabinetit”.
Ajo e lavdëroi atë për mbajtjen e nëntë mbledhjeve të kabinetit këtë vit dhe për një përgjigje interesante gjatë një sesioni pyetje-përgjigje kur ai sulmoi demokratët dhe emigrantët somalezë.
“Në të gjitha këto takime historike, presidenti dhe ekipi i tij i pabesueshëm nxorën në pah listën e plotë të arritjeve që kanë bërë në emër të popullit amerikan për ta bërë Amerikën të Madhe përsëri”, ka deklaruar Leavitt.
Betejat me gjumin
Ishte hera e dytë në më pak se një muaj që Trumpi dukej se zhvillonte këtë betejë shumë të theksuar gjatë një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë. E fundit ndodhi më 6 nëntor, në Zyrën Ovale. Pas kësaj, “Washington Post” shqyrtoi disa video dhe llogariti se Trumpi kishte kaluar pothuajse 20 minuta duke luftuar për t’i mbajtur sytë hapur.
Imazhet e Trumpit duke dremitur gjatë asaj ngjarjeje - imazhe edhe më të qarta se ato të së martës për shkak të këndeve të kamerave të disponueshme në Zyrën Ovale, shpejt u bënë virale.

Çështja nuk është se një burrë 79-vjeçar që është dremitur është një shenjë e një shqetësimi serioz shëndetësor ose edhe vërtet kaq e jashtëzakonshme. Siç vuri në dukje Leavitt, Trumpi mori një sërë pyetjesh pasi foli Rubio. Dhe është e padiskutueshme që ai e ka bërë veten shumë më të disponueshëm për shtypin sesa paraardhësi i tij.
Ai gjithashtu dukej se kishte një natë të vonë dhe një mëngjes të hershëm përpara mbledhjes së kabinetit, duke postuar në Truth Social para orës 5:30 të mëngjesit pasi ndau postime mbi imigracionin, Venezuelën dhe tema të tjera afër mesnatës. (Në të vërtetë, ai kishte postuar dhjetëra herë një natë më parë.)
Por këto lloj skenash po bëhen qartësisht më të përhapura.
Trumpi – viktimë e standardeve të veta
Dhe siç ndodh shpesh, Trumpi e ka bërë veten viktimë të standardeve që ka vendosur për presidencën. Jo vetëm që ai e etiketoi vazhdimisht Bidenin si “Joe i përgjumur” për shkak të mungesës së aktivitetit të Bidenit, por ai shpesh e kritikoi ashpër Bidenin për fjetjen e tij të vërtetë, dhe për rënien në gjumë para kamerës. Trumpi e cilësonte një skenë të tillë si të papërshtatshme për një president dhe një shenjë të mosangazhimit të Bidenit, të paktën kur ishte në anën tjetër.
Në vitin 2021, pasi Bideni u duk sikur ra në gjumë në një konferencë për klimën në Skoci, Trumpi tha në një email: “Askush që ka entuziazëm dhe besim të vërtetë në një temë nuk do të bjerë ndonjëherë në gjumë!”.
Trumpi vazhdoi të kritikonte Bidenin për këtë temë edhe në vitet 2022 dhe 2023.
Pas fjalimit të Bidenit për Gjendjen e Kombit në fillim të vitit 2024, Trumpi tha se “shumicën e kohës, ai duket sikur po bie në gjumë”.
Në qershor të vitit 2024, pak para performancës katastrofike të Bidenit në debat, Trumpi e tallte presidentin e atëhershëm për shfaqjen e tij të përgjumur pas udhëtimeve jashtë shtetit, duke thënë: “Ai bie në gjumë në çdo ngjarje”.
Në fund të fushatës së vitit 2024, Trumpi përmendi vazhdimisht rënien e Bidenit në gjumë në plazh.
Trumpi dukej se e konsideronte këtë si veçanërisht të pahijshme dhe të çuditshme.
“Si bie në gjumë kur kamerat janë në aksion, apo jo?”, tha ai në një moment në shtator të vitit 2024.
Ai i tha prezantuesit të podkasteve Andrw Schulz në të njëjtin muaj: “Nuk do të më shihni kurrë duke fjetur para kamerës”.
Nëse të biesh në gjumë në takime ishte një shenjë se Bidenit i mungonte “entuziazmi dhe besimi”, pse të mos zbatohet i njëjti standard edhe për Trumpin?
Sigurisht, kur bëhet fjalë për çështjet shëndetësore, konteksti është thelbësor. Nuk ka dyshim se Bideni u paraqit shumë më i moshuar sesa Trumpi, dhe se ata përreth Bidenit e fshihnin përkeqësimin e tij. Bideni nuk mbajti asgjë që i afrohej orarit ose pranisë publike që Trumpi bën sot, edhe pse paraqitjet dhe udhëtimet e Trumpit brenda vendit, siç vuri në dukje Times, kanë rënë. (Megjithatë, udhëtimet e tij jashtë vendit janë rritur deri më tani këtë mandat).
Por Trumpi gjithashtu ka qenë prej kohësh diskret në lidhje me shëndetin e tij, duke përfshirë publikimin e letrave hiperbolike nga mjekët e tij dhe duke i rezistuar zbulimit të plotë në lidhje me vizitat e tij mjekësore si president - duke përfshirë një MRI të kryer së fundmi. (Shtëpia e Bardhë këtë javë publikoi përfundimisht një përmbledhje të imazherisë së tij mjekësore në tetor të sistemeve të tij kardiovaskulare dhe abdominale - pasi presidenti pretendoi se as nuk e dinte se në cilën pjesë të trupit ishte kryer).
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, Dr. Harold Bornstein, i cili kishte shkruar një letër plot entuziazëm për shëndetin e tij në vitin 2015, tha se Trumpi e kishte “diktuar të gjithën atë letër”. Në letër deklarohej në mënyrë të pabesueshme se Trumpi do të ishte “individi më i shëndetshëm i zgjedhur ndonjëherë në presidencë”, pavarësisht se ai ishte afër 70 vjeç në atë kohë dhe ishte i njohur për kundërshtimin ndaj ushtrimeve fizike.
Gjëra të tilla do të mbjellin dyshime dhe do të legjitimojnë hulumtime si ato të Timesit, veçanërisht kur presidenti tregon më shumë shenja moshe.
Ashtu siç e ka quajtur Bidenin “Joe i përgjumur”, veprimet e tij do ta bëjnë çdo herë e më të dukshëm faktin kur Trumpi duket se nuk mund ta heqë qafe përgjumjen e tij.