Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Draghi e quan Erdoganin diktator, shkaku i “poshtërimit” të Von der Leyenit

Turqia ka dënuar ashpër të premten qëndrimet e kryeministrit të Italisë, Mario Draghi, i cili e krahasoi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan me një diktator.

Kryeministri italian ka kritikuar me këtë rast edhe mënyrën e trajtimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj të fundit në Turqi.

Gjatë takimit të fillimjavës me presidentin turk, Von der Leyeni ishte shtrënguar të ulej në një divan pasi që shefit të Këshillit Evropian, Charles Michel, iu ofrua karrigia përkrah Erdoganit.

Ankaraja zyrtare i ka hedhur poshtë akuzat për shpërfilljen e Von der Leyen, shkaku i gjinisë. Por kryeministri italian është shprehur i indinjuar me, siç ka thënë, “poshtërimin” e lideres evropiane.

Ai ka theksuar se është e rëndësishme që të jesh i sinqertë me diktatorët.

Deklaratat e Draghit, Ministria e Jashtme turke i ka cilësuar si “vërejtje populiste dhe komente të shëmtuara”.

Edhe Turqia ia hedh fajin BE-së për sjelljen ndaj Ursula von der Leyenit në Ankara Botë Turqia ia hedh fajin BE-së për sjelljen ndaj Ursula von der Leyenit në Ankara

Më herët, kryetari i Këshillit Evropian kishte thënë se situata e krijuar në Turqi ishte rezultat i “interpretimit të rreptë” të rregullave të protokollit nga shërbimet shtetërore.

Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Brukselit janë tensionuar viteve të fundit, shkak i telasheve me numrin e madh të refugjatëve të strehuar në Turqi dhe synimeve të vendit për nxjerrjen e gazit natyror në lindje të Mesdheut.