Botë

Djali 16-vjeçar i liderit çeçen emërohet vëzhgues në batalionin e pushkëve

Djali adoleshent i udhëheqësit çeçen, Ramzan Kadyrov, i cili është parë duke rrahur një të burgosur në paraburgim këtë vit, është emëruar vëzhgues në një batalion të ri që është pjesë e forcave të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ka njoftuar një zyrtar i lartë çeçen, raportoi të mërkurën Reuters.

Adam Kadyrov, i cili mbushi 16 vjet javën e shkuar dhe i cili kohët e fundit u emërua si truproja më e lartë e babait të tij, u shfaq në një video postuar në rrjetet sociale nga Ramzan Kadyrov në shtator, duke e goditur një të burgosur të akuzuar për djegien e Kuranit.

Ramzan Kadyrov, aleat i presidentit Vladimir Putin, tha në atë kohë se ishte krenar për djalin e tij dhe se e respekton atë për "idealet, dinjitetin dhe mbrojtjen e fesë së tij".

Të martën, Adam Delimkhanov, i cili kryeson divizionin çeçen të gardës kombëtare ruse dhe është gjithashtu anëtar i Parlamentit të Rusisë, tha se Kadyrovi i ri u emërua vëzhgues i një batalioni pushkësh.

"Ky emërim ishte rezultat i shërbimeve të rëndësishme të Adamit në respektimin e vlerave fetare, familjare dhe kulturore të popullit tonë", tha Delimkhanov, i cili shihet si zyrtari i dytë më i lartë i Çeçenisë pas Kadyrovit.

Batalioni i pushkëve çeçene u krijua këtë muaj, sipas medias shtetërore të Rusisë.