Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ditari i gazetarit - rrëfimi për ditët e para të pushtimit të Irakut

20 vjet më parë, gazetarët e “Associated Press”, Yves Dam-Van dhe Jerry Harmer, ishin me njësinë e marinsave amerikanë që po përgatiteshin ta pushtonin Irakun.

Teksa nisi pushtimi, Harmer ka mbajtur një ditar.

Ai e kompletoi atë disa javë më vonë dhe ka lexuar pjesë të këtij ditari.

“19 mars. Duket se do të nisë sonte. Këtë mëngjes nisi era e fortë dhe dukshmëria ishte vetëm në 200 metra. Humveet dhe kamionët nuk lëviznin. Zhurma e erës më tmerronte. Nëse do të donit të kishit peizazhin në të cilin do të vdisnit, ky do të ishte”.

“20 Mars. Topat Tango nisën luftën e tyre me howitzerët 155-milimetërsh. Shoferi i ngriti duart përpjetë dhe bërtiste “Vrisni, Vrisni”. Kjo ishte hera e parë që topat ishin në aksion dhe ai ishte i gëzuar si fillorist”.

“22 mars. Marinsat na thanë se kanë gjetur disa automjete të shkatërruara. Ishim të shqetësuar për automjetet e djegura; për minat dhe për raketat e pashpërthyera. Gjithkund shkatërrim. Gjithkund pajisje ushtarake dhe disa helmeta. Helmetat ishin qesharake, të bëra nga plastika dhe të ngjyrosura me të gjelbër. Ishte një emblemë në të dhe në njërën anë shenja e gishtit të madh të dorës. Dukej si personale dhe e lashë në tokë”.

“23 mars. Doja të dija se çfarë po bënin kolegët tanë. E mora një telefon satelitor. Lajme të këqija. Terry Lloyd nga ITN dhe kameramani ishin zhdukur pasi automjeti i tyre ishte bombarduar afër Basras. Jam takuar dy herë me Terryn dhe ka qenë shumë miqësor, profesionist i vërtetë”.

“1 prill. Topat vazhduan lëvizjen dhe kaluan në një qytet të vogël. Kohërat e tilla janë gjithmonë të tensionuara. Shikoja turmat nga larg dhe tentoja të shihja për lëvizje të dyshimta. Pyesja se sa shpejt mund të dilja nga automjeti dhe a do të isha më i shpejtë se raketa që do të vinte”.

“3 prill. Pak më larg në rrugë u takuam me njerëz që vinin drejt nesh dhe si duket iknin nga Bagdadi. Shumë prej tyre u gëzuan kur panë forcat amerikane. “Bushi! Blairi! Bërtiste njëri teksa pas secilës fjalë dërgonte puthje drejt qiellit. ‘Duam liri! Nuk ka liri në Irak. A po merr vesh?” më thoshte tjetri. E pyeta për emrin. Ai qeshi dhe bëri me gisht drejt qafës. “A po merr vesh?’ më tha përsëri ai.

“13 prill. U larguam nga Bagdadi në 6 e 20 të mëngjesit. Dhjetë orë më vonë arritëm në hotelin Sheraton në Kuvajt. Gjëja më e sikletshme gjatë këtij udhëtimi ishte skena e rojave kufitare të Kuvajtit me urdhrat që të hiqnim gjithçka me imazhin e Saddam Husseinit. Kishte marrë fund. Unë po bëhesha gati të kthehesha në shtëpi”.

Artikuj të ngjashëm