Botë

Dita më e përgjakshme, forcat e sigurisë hapin zjarr kundër protestuesve birmanë

Forcat birmane të sigurisë kanë hapur zjarr të hënën kundër demonstruesve pro-demokracisë, duke i lënë gjashtë persona të vdekur, vetëm një ditë pasi me dhjetëra demonstrues u qëlluan për vdekje dhe sulmuesit ua vunë flakën fabrikave kineze në qytetin e Jangonit.

Mediat kineze kanë raportuar për vandalizimin dhe djegien e 32 fabrikave të financuara nga Kina. Mbështetësit e lideres së arrestuar, Aung Su Ki, marshuan përsëri, përfshirë edhe në qytetin e dytë më të madh, Mandalaj dhe qytezat qendrore, Mingian dhe Aunglan, ku policia hapi zjarr.

Dëshmitarët kanë treguar se si një vajzë u qëllua në fytyrë dhe një djalë në kokë në Mingian. Demonstruesit kundër grusht-shtetit kanë nisur të fshihen, pasi policia e shërbimet e brendshme po kryejnë aksione të bastisjes. Protestuesit kanë dalë në rrugë duke sfiduar autoritetet që kanë përshkallëzuar dhunën kundër protestuesve. E diela ishte dita më e përgjakshme prej 1 shkurtit, kur junta kreu grusht-shtet kundër Qeverisë civile të Kisë.