Botë

Diskriminimi i mjekëve afro-amerikanë

Diskriminimi i mjekëve afro-amerikanë

“Shumë prej nesh janë të shqetësuar për hakmarrjen, çfarë ndodh kur ju thoni diçka”, ka theksuar dr. Rachel Villanueva, presidente e Shoqatës Kombëtare të Mjekësisë, e cila përfaqëson mjekët afro-amerikanë. “Kemi shumë doktorë që na dërgojnë letra për të njëjtat praktika diskriminuese gjatë gjithë kohës dhe kërkojnë ndihmën tonë si shoqatë për ta luftuar atë”

Dr. Dare Adwumi ishte shumë i emocionuar kur u punësua për ta drejtuar praktikën e neurokirurgjisë në një spital të zonës së Atlantas, afër vendit ku u rrit. Mirëpo ka treguar se shpejt u përball me diskriminimin racor që përfundimisht çoi në shkarkimin e tij dhe e pengoi atë të merrte punë të përhershme diku tjetër.

Avokatët e tij dhe të tjerë kanë bërë të ditur se ai nuk është i vetëm, se mjekët afro-amerikanë në të gjithë vendin e përjetojnë diskriminimin, duke filluar nga mikroagresionet deri te veprimet disiplinore kërcënuese për karrierën. Paragjykimet, të ndërgjegjshme ose jo, mund të zmadhohen në mjedisin e ashpër konkurrues të spitalit, kanë thënë ata, kurse nënpërfaqësimi i mjekëve afro-amerikanë mund t’i dekurajojë ata të flasin.

Frikë nga hakmarrja

“Shumë prej nesh janë të shqetësuar për hakmarrjen, çfarë ndodh kur ju thoni diçka”, ka theksuar dr. Rachel Villanueva, presidente e Shoqatës Kombëtare të Mjekësisë, e cila përfaqëson mjekët afro-amerikanë. “Kemi shumë doktorë që na dërgojnë letra për të njëjtat praktika diskriminuese gjatë gjithë kohës dhe kërkojnë ndihmën tonë si shoqatë për ta luftuar atë”.

Sipas Shoqatës së Kolegjeve Mjekësore Amerikane, mjekët afro-amerikanë përbënin vetëm 5% të mjekëve aktivë në SHBA në vitin 2018, të dhënat më të fundit të disponueshme.

Njerëzit që identifikohen si afro-amerikanë përfaqësojnë 12.4% të popullsisë totale të SHBA-së, sipas regjistrimit të 2020-s në SHBA. Për vitin akademik 2021-2022, 8.1% e studentëve të regjistruar në shkollat e mjekësisë janë identifikuar si afro-amerikanë. Shoqata e Shkollave Mjekësore dhe Shoqata Kombëtare e Mjekësisë në vitin 2020 njoftuan një iniciativë për ta trajtuar mungesën e meshkujve me ngjyrë në mjekësi – ata përbënin vetëm 2.9% të studentëve të regjistruar 2019-2020.

Shoqata Amerikane e Mjekësisë, grupi më i madh dhe më me ndikim i mjekëve në vend, po përpiqet po ashtu të tërheqë studentë afro-amerikanë në mjekësi, duke punuar me kolegje dhe universitete historikisht afro-amerikane e duke ndihmuar sigurimin e bursave, ka thënë presidenti dr. Gerald Harmon.

“Po përpiqemi t’i vendosim paratë tona atje ku janë goja dhe veprimet tona, aty ku janë mendimet tona”, ka theksuar ai duke pranuar se ndër të tjera, mungesa e mjekëve afro-amerikanë kontribuon në rezultate më të dobëta shëndetësore për pacientët afro-amerikanë.

Disa mjekë afro-amerikanë që besojnë se janë keqtrajtuar po flasin hapur. Adewumi, 39 vjeç, ka ngritur padi federale në shtator kundër Wellstar Medical Group dhe Wellstar Health Systems duke pretenduar diskriminimin bazuar në racë.

“Nëse nuk e pëlqejnë atë, është tjetër gjë, ama nuk mund ta penalizosh dikë – sipas ligjit – në bazë të racës”, ka theksuar avokati i tij C.K, ka thënë Hoffler. “Kjo është pikërisht gjëja që i ndodhi Dares. Kjo është ajo që po përjetojnë shumë mjekë afro-amerikanë, shumë të aftë, të trajnuar dhe me kredenciale të larta në vend”.

Image

Roli institucional

Adewumi vuri në dukje se disa nga vendimet e tij kirurgjikale u vunë në dyshim e ai u vendos në një plan rishikimi të performancës, hapa që ai thotë se ishin pretekst për ta larguar. Ai ka treguar se kishte një rekord të paprekur më parë, ndërkohë që kolegët e tij të bardhë nuk u përballën kurrë me këtë lloj shqyrtimi.

“Kam punuar shumë, kam bërë shumë për të arritur në këtë nivel, krejt çka doja vërtet ishte t’i ndihmoja njerëzit e sëmurë”, është shprehur ai. “Ja ku po më hiqej kjo e drejtë pa asnjë arsye tjetër pos ngjyrës së lëkurës”.

William Hill, avokat për Wellstar, tha se çështja është e mbyllur, kështu që ai nuk është në gjendje të flasë për specifikat.

“Wellstar nuk diskriminon. Dr. Adewumi nuk ka qenë subjekt i diskriminimit apo trajtimit të padrejtë. Kujdesi për pacientët dhe siguria janë prioritetet kryesore të Wellstarit”, shkroi Hill në një email, duke vënë në dukje se ata kanë paraqitur një mocion për ta hedhur poshtë padinë.

Dr. Stella Safo, specialiste e HIV-it, është mes një grupi punonjësish të kaluar dhe të tanishëm në Institutin Arnhold për Shëndetin Global në Mount Sinai në qytetin e Nju Jorkut, të cilët në prill të vitit 2019 paditën pretendime për diskriminimin gjinor, të moshës dhe racës. Disa pretendime janë hedhur poshtë, por të tjerat po ecin përpara. Pretendimet e Safos fokusohen në diskriminimin e pretenduar gjinor, mirëpo ajo ka thënë se si një grua me ngjyrë, diskriminimi racor dhe ai gjinor janë të ndërthurur. Që nga ngritja e padisë, ajo ka dëgjuar nga shumë njerëz histori të ngjashme.

Pretendimet e Adewumi nuk e habitin atë: “Kjo është diçka që shumë prej nesh e kanë kaluar drejtpërdrejt”, është shprehur specialistja.

“E tmerrshme”

Të folurit për këtë çështje ka qenë “e tmerrshme”, ka thënë Safo, duke shtuar se ajo e rrezikoi karrierën e saj dhe humbi edhe miq. Mirëpo, është ndier e shfajësuar nga ndryshimet: Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut vitin e kaluar e miratoi legjislacionin për të krijuar bord këshillues për ta shqyrtuar diskriminimin racor dhe gjinor në spitale.

Një gjykatës e vulosi padinë e Adewumi dhe disa dosje në këtë çështje me kërkesë të Wellstarit, e cila citoi informacione të besueshme. Rrëfimi i mëposhtëm i asaj që ndodhi vjen nga intervista me Adewumin dhe nga ankesa që paraqiti në Komisionin Federal të Mundësive të Barabarta të Punësimit, i cili në korrik i dha lejen për të paditur.

Adewumi nënshkroi në mars të vitit 2018 udhëheqjen në shërbimet e neurokirurgjisë në spitalin Wellstar Cobb në Austell, Georgia. Spitali nuk kishte neurokirurgë për një dekadë dhe i referonte pacientët diku tjetër, duke përfshirë spitalin Wellstar Kennestone, ku punonte mbikëqyrësi i Adewumit.

Gjersa praktika e tij filloi të lulëzonte, Adewumi ndjeu se mbikëqyrësi i tij po e synonte “me qëllimin për t’i minuar aftësitë e mia si mjek dhe për të më shtyrë nga grupi”, thotë ankesa e EEOC.

Në nëntor 2018, Adewumi filloi të merrte “letra hetimi” në lidhje me operacionet që kishte bërë. Këto letra anonime mund të dorëzohen nga çdo anëtar i personelit mjekësor ose mund të vijnë si ankesë e pacientit. Ato shqyrtohen nga komiteti ekzekutiv mjekësor i spitalit.

Në fillim Adewumi u shpreh se nuk e dinte se çfarë ishin letrat, pasi nuk kishte marrë kurrë diçka të ngjashme. Ama brenda tetë muajsh ai kishte marrë 15, të gjitha, përveç njërës të paraqitur nga kolegët.

Përktheu: Blerta Haxhiu