Një ditë pasi u rrëzua statuja e Sheshit Firdos, kurdët rrëzuan një statujë të Sadamit në qytetin verior të Kirkukut. Ata e goditën fytyrën e tij me këpucë dhe festuan rënien e një njeriu që kishte shtypur brutalisht popullsinë e tyre, duke përfshirë një fushatë të egër në vitet 1980 që “Human Rights Watch” e quajti gjenocid. Ajo dhe statuja të tjera u zëvendësuan me imazhe të liderëve kurdë, veçanërisht të Massoud Barzanit, i cili udhëhoqi zonën autonome kurde në veri nga viti 2005 deri në 2017
(AP) - Nga historitë e tij të panumërta të jetës së tij si parukier në Irak, ajo që Kaiss al-Sharaa pëlqen të rrëfejë është rreth ditës së 9 prillit 2003, kur ai pa irakianë dhe marinsat amerikanë ta rrëzonin statujën e Sadam Huseinit, përballë sallonit të tij në Sheshin Firdos të Bagdadit.
Statuja prej 12 metrash e diktatorit irakian duke zgjatur dorën e djathtë ishte ngritur vetëm një vit më parë për ta festuar ditëlindjen e tij të 65-të.
“Kishte shumë irakianë më të rinj nga i gjithë vendi me trupat amerikane në krye të statujës – të cilët natyrisht e donin lirinë e tyre”, ka theksuar Al-Sharaa për Associated Press. “Statuja ishte me fytyrën e një njeriu të cilit i frikësoheshin të gjithë”.
Për botën, ai u bë moment ikonik i pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja; mbulimi i drejtpërdrejtë televiziv teksa marinsat e lidhën statujën me një automjet për ta rrëzuar, e ktheu atë në një simbol të fundit të sundimit çerekshekullor të Sadamit. Në realitet, statuja e Sheshit Firdos ishte veç një pjesë e vogël e numrit të madh të monumenteve dhe pallateve që Sadami ngriti për ta treguar pushtetin e tij.
Zhdukja e statujave
Të gjitha statujat dhe imazhet e tij janë zhdukur prej kohësh, 20 vjet pas asaj dite. Shumë prej pallateve dhe ndërtesave të tij janë ripërdorur për një Irak të ri. Por pjesa më e madhe e shpresës që erdhi duke fshirë praninë vizuale shtypëse të Sadamit është zhdukur gjithashtu, e shuar fillimisht nga vitet e dhunës brutale dhe tani nga një ekonomi e shkatërruar dhe korrupsioni i shfrenuar nga elita e re politike e fraksioneve me bazë sektare.
Sheshi Firdos është shndërruar në një park të vogël, i financuar nga bankat private. Në një ndërtesë që ngrihet mbi shesh është murali i madh i gjeneralit iranian, Qassem Soleimani – i vrarë në një sulm me dron amerikan në vitin 2020 – dhe i imam Huseinit, nipit të profetit Muhamed. Është lloji i imazheve shiite që përhapet rreth Bagdadit për shkak të dominimit të partive shiite të mbështetura nga Irani në qeveri.
“Ky kopsht i ri që zëvendësoi atë të Sadamit përfaqëson korrupsionin e përhapur sot në Irak, nën gjelbërimin dhe shatërvanët e bukur”, ka treguar Al-Sharaa. Ai ka thënë se megjithëse nuk i mungon sundimi i Sadamit, atij i mungon “sundimi i ligjit”.
“Familjet janë shumë të frikësuara për t'i çuar fëmijët e tyre atje, sepse tregtarët e drogës rrinë atje natën”, ka bërë të ditur ai për pjesën e sheshit.
Nuk dihet se çfarë ndodhi me pjesët e statujës së Sadamit, por shumë nga to u morën nga gjuetarët e suvenireve.
Një grup marinsash të rinj amerikanë nga Utah në vitin 2003 kanë thënë se ata prenë dorën e djathtë të statujës dhe synonin ta shisnin atë në eBay. Por ajo u zhduk nga ngarkesa e tyre teksa u përpoqën ta kontrabandonin në shtëpi me fluturimin e tyre ushtarak të kthimit. Gjithçka që kanë është fotografia që kanë bërë duke e mbajtur si një peshk të çmuar. Në vitin 2016, një tregtar gjerman i antikeve ka treguar se kishte blerë këmbën e majtë të Huseinit dhe më pas e shiti atë në eBay për mbi 100 mijë dollarë. Gazetari britanik, Nigel Ely, ka shkruar një libër të vitit 2017 për një pjesë të këmbës së majtë të Sadamit, të cilin ai e hoqi nga statuja. Ai u përpoq ta nxirrte në ankand për bamirësi, por nuk mori ofertë mjaft të lartë.
Politika e Sadamit për t’i mbushur Bagdadin dhe qytetet e tjera me pallate, statuja dhe portrete të tij “krijoi këtë imazh të këtij udhëheqësi hyjnor”, ka thënë për AP-në, anëtari i lartë i kërkimit në Chatham House, Renad Mansour. Sadami “duhej të projektonte pushtetin në mënyra të ndryshme për t'ua kujtuar njerëzve që ishte në krye”.
Disa nga monumentet e Sadamit mbeten në vend, kryesisht sepse ato kishin kuptim nacionalist që shkonte përtej tij. Për shembull, ende i lartësuar mbi lumin Tigër, janë Harku i Fitores, një hark i formuar nga dy duar gjigante që mbajnë shpata të kryqëzuara dhe dy gjysmë kupola të mëdha bruz të quajtura Monumenti i Al-Shaheedit, ose Monumenti i Martirëve. Ato u hapën në vitet 1983 dhe 1989 për t’i përkujtuar të vrarët në luftën e Irakut me Iranin në vitet 1980.

Pallati ishull
Pallati Al-Faw u ndërtua në një ishull në mes të një liqeni artificial nga Sadami në vitet 1990 për të shënuar rimarrjen e gadishullit me të njëjtin emër gjatë luftës. Ajo u përdor për herë të parë pas vitit 2003 si një seli ushtarake e koalicionit amerikan të quajtur Camp Victory. Më vonë ai u shndërrua në Universitetin Amerikan në Bagdad, përmes financimit të biznesmenit me ndikim irakian, Saadi Saihood.
Prania e Sadamit mund të gjendet ende në kampus. Inicialet e tij janë gdhendur në mure dhe tavane. Liqeni artificial është ende i mbushur me një lloj të një peshku gjigant që ushtarët amerikanë e quajtën “Saddam bass”.
Nënkryetarja e AUB-së, dr. Dawn Dekle, ka theksuar se ishte e rëndësishme të ruhej historia e universitetit. “Ky pallat i përket të ardhmes së Irakut,” ka thënë ajo për AP-në. Ajo tani shpreson se universiteti mund të jetë mjet për ta mbajtur rininë e Irakut pas viteve të largimit të irakianëve nga vendi. “Brezi që shkoi jashtë vendit dëshiron t’i dërgojë djemtë dhe vajzat e tyre në Irak, në mënyrë që ta përjetojnë atë.
Çdo gjë që pasqyronte drejtpërdrejt Sadamin u fshi.
Një ditë pasi u rrëzua statuja e Sheshit Firdos, kurdët rrëzuan një statujë të Sadamit në qytetin verior të Kirkukut. Ata e goditën fytyrën e tij me këpucë dhe festuan rënien e një njeriu që kishte shtypur brutalisht popullsinë e tyre, duke përfshirë një fushatë të egër në vitet 1980 që “Human Rights Watch” e quajti gjenocid. Ajo dhe statuja të tjera u zëvendësuan me imazhe të liderëve kurdë, veçanërisht të Massoud Barzanit, i cili udhëhoqi zonën autonome kurde në veri nga 2005 deri në 2017.
Në Bagdad, lagjja më e madhe shiite ishte quajtur prej kohësh “Saddam City”. Sadami, i cili shtypi brutalisht çdo mosmarrëveshje midis shiitëve të Irakut, vendosi qëllimisht një mural gjigant, shumëngjyrësh të tij në një pjesë kryesore të distriktit.
Në qershor 2003, shiitët u mblodhën në një ceremoni që e quajti zyrtarisht distriktin si Qyteti Sadr, sipas një familjeje klerikësh të shquar shiitë. Një mural zëvendësues u zbulua, që tregon Mohammed-Baqir al-Sadr-in dhe Mohammed-Sadiq al-Sadr-in, dy klerikë të vrarë nën regjimin e Sadamit për kundërshtimin e tyre ndaj sundimit të tij.
Ata janë gjithashtu vjehrri dhe babai, respektivisht i Muqtada al-Sadr-it, një klerik i zjarrtë, milicia e të cilit luftoi me pushtimin e SHBA-së pas rënies së Sadamit. Sot ai është një nga udhëheqësit më të fuqishëm të fraksionit të Irakut, duke e paraqitur veten si një i huaj që kundërshton partitë shiite rivale, të mbështetura nga Irani, që dominojnë pozitat qeveritare. Sadr City, shtëpia e miliona shiitëve kryesisht të varfër, është bastioni i tij kryesor.
“Fjalët nuk mund të përshkruajnë se si u ndjeva në atë moment. Ishte si të shkoje nga errësira në dritë”, ka shpjeguar Thalal Moussa për ceremoninë e riemërtimit, në të cilën ai mori pjesë kur ishte adoleshent. Tani 37 vjeç dhe kontraktor në agjencinë shtetërore të energjisë elektrike, ai i ka parë të frustruara ato pritshmëri për një të ardhme më të mirë.
“Tani, për fat të keq kemi këtë juntë të korruptuar që ka kontrolluar vendin për 20 vjetët e fundit”.
Përktheu: Blerta Haxhiu
