Botë

Digjet kopshti zoologjik në Gjermani, ngordhin të gjithë majmunët, lakuriqët dhe zogjtë

Foto: Sky News

Çdo kafshë që gjendej brenda strehimores për majmunë në një kopsht zoologjik në Gjermani ka ngordhur.

Kopshti zoologjik “Krefeld Zoo”, që gjendet afër kufirit me Holandën, tha se “frika jonë më e madhe është bërë realitet” pas zjarrit të mbrëmshëm që mbyti më shumë se 30 kafshë në total, raporton “SkyNews”.

Në një postim në Facebook, kopshti zoologjik tha: “Një tragjedi e pakapshme na goditi menjëherë pas mesnatës. Ndërtesa jonë e majmunëve u dogj në themel”, transmeton Koha.net.

Agjencia e lajmeve dpa ka raportuar se shimpanzetë, orangutangët dhe gorillat ishin në mesin e të ngordhurve.

Në mesin e të ngordhurve janë edhe lakuriqët e natës dhe zogjtë.

{gallery}

Kopshti zoologjik më vonë tha se në strehimoren e majmunëve nuk ka të mbijetuar, por tha se hapësira tjetër e afërt, Kopshti Gorilla, ka shpëtuar i paprekur, ku jeton edhe banori i famshëm Kidogo dhe familja e tij.

Mediat lokale raportuan se zjarri është ndezur nga fishekzjarrët, por kopshti zoologjik nuk e ka konfirmuar shkaktarin.

Policia është duke e hetuar rastin, por ka thënë se zjarri mund të jetë ndezur nga një fanar kinez.

Sipas Deutsche Welles, strehimorja e majmunëve ka qenë aty që nga viti 1975 dhe ka qenë strehë për orangutangët, gorillat, shimpanzetë dhe kafshët tjera.