Shumëkush u tmerrua që një grua u rrah aq brutalisht, thjesht sepse i refuzoi ngacmimet seksuale të një burri
Tata, një 34-vjeçare në qytetin kinez Chengdu, po i përcillte rrjetet sociale në tavolinën e punës në zyrë, të premten pasdite, kur hasi në një video rrëqethëse që e tronditi deri në palcë.
Në pamjet e kamerave shfaqen tri gra duke ngrënë në një restorant të ushqimit të shpejtë, kur një burrë i afrohet tavolinës së tyre dhe e vendos dorën në shpinën e njërës prej grave. Gruaja e shtyn atë, mirëpo burri nuk pranon të tërhiqet dhe tenton t’ia prekë fytyrën. Teksa ajo ia largon dorën, burri e godet me shuplakë dhe e shtyn në tokë, ndërkohë që gruaja përpiqej ta shmangte.
Mikeshat përpiqen ta ndihmojnë, mirëpo edhe ato sulmohen nga burri e miqtë e tij, të cilët futen në restorant kur dhuna shpërthen. Më pas, grupi i burrave e tërheq gruan e parë zvarrë nga flokët deri te dera, duke e goditur vazhdimisht me këmbë në kokë, me shishe e karrige, derisa ajo shtrihet në trotuar, me rrobat e zhytura në gjak.
Zemërim e frikë
Sulmi ishte aq i egër saqë Tata duhej ta ndalte videon në mes të rrugës. “Menjëherë u mbusha zemërim e frikë”. Mund ta ndieja tmerrin edhe unë me të – terrorin që duhet ta kishte ndier në ato momente”, ka theksuar ajo, duke kërkuar që të përmendej vetëm me emrin e saj. “Kjo mund të ndodhë me secilin prej nesh”.
Edhe
Nga abuzimi te shpresa: lufta e grave kundër martesave të detyruara në Kinë
Tronditja dhe zemërimi jehuan gjerësisht ndërsa videoja u përhap me shpejtësi në mediat sociale kineze. Deri në mbrëmje, sulmi - i cili ndodhi rreth orës 2:40 të mëngjesit të së premtes në qytetin verior të Tangshanit - kishte ndezur zhurmë mbarëkombëtare, duke tërhequr qindra miliona shikime dhe duke dominuar me diskutimet në internet gjatë gjithë fundjavës.
Shumëkush u tmerrua që një grua u rrah aq brutalisht, thjesht sepse i refuzoi ngacmimet seksuale të një burri. Të tjerë sulmuan policinë për dështimin që të marrë masa derisa incidenti u bë viral.
Pas protestës, policia e Tangshanit ka lëshuar një deklaratë të premten duke thënë se ata kishin identifikuar të dyshuarit dhe se “nuk po kursenin asnjë përpjekje” për t’i arrestuar. Të shtunën pasdite, nëntë të dyshuarit e përfshirë në sulm u kapën, përfshirë katër të cilët kishin ikur rreth 600 milje në jug në provincën Jiangsu.
Sipas policisë, dy gra janë shtruar në spital me lëndime, jashtë rrezikut për jetën dhe janë në gjendje stabile.
Sulmi ka ringjallur gjithashtu debatin rreth dhunës ndaj grave dhe pabarazisë gjinore në Kinë, për të cilën kritikët pretendojnë se mbetet shoqëri shumë patriarkale me mizogjini të përhapur, pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit për çështjet gjinore mes grave të reja.
“Ajo që ndodhi në restorantin ‘Barbecue Tangshan’ nuk ishte incident i izoluar shoqëror, mirëpo pjesë e dhunës sistematike gjinore. Ne duhet ta pranojmë se ende jetojmë në një mjedis që mbështet, inkurajon dhe i shtyn burrat të përfshihen në dhunën ndaj grave”, thuhet në artikullin e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale.
Edhe
Zbulohen rrjete ndërkombëtare burrash që përdorin grupe online për të droguar e përdhunuar gra
Debati nuk i përshtatet Qeverisë komuniste
Vitet e fundit, një sërë incidentesh dhune të tmerrshme ndaj grave kanë shkaktuar zemërim. Vitin e kaluar, një blogere tibetiane vdiq pasi ish-bashkëshorti i saj i vuri flakën teksa ajo po transmetonte drejtpërdrejt për fansat e saj në rrjetet sociale. Ish-bashkëshorti u dënua me vdekje në tetor. Në fillim të këtij viti, nëna e tetë fëmijëve u shfaq në një video e lidhur me zinxhir në qafë, në një strehë në provincën rurale Jiangsu. Pas mohimeve të përsëritura në fillim, autoritetet përfundimisht e pranuan se ajo ishte viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore.
“Sigurisht që ne duhet të ndërmarrim veprime ligjore për t’i ndëshkuar sulmuesit dhe autorët individualë. Por pa adresuar shtypjen sistematike gjinore, pa ndryshuar normat sociale që nxisin sundim të patriarkatit dhe inkurajojnë dhunën, ne thjesht do të vazhdojmë ta mbajmë zemërimin deri në incidentin e ardhshëm”, thuhet në artikullin e mediave sociale.
Diskutime të tilla duket se nuk i përshtaten mirë Qeverisë kineze, e cila prej kohësh e ka goditur lëvizjen feministe të Kinës duke arrestuar dhe heshtur aktivistet dhe duke censuruar debatet në internet. Artikulli, i cili u publikua në “WeChat”, së bashku me postimet e tjera në mediat sociale për çështjet gjinore, është fshirë nga interneti.
“Weibo”, platforma e ngjashme me Twitterin e Kinës, ka njoftuar në një deklaratë të shtunën se kishte bllokuar 992 llogari për shkelje, duke përfshirë “provokimin e qëllimshëm të konfrontimit gjinor” kur diskutohej për sulmin në Tangshan.
Llogaria zyrtare e “Weibos” ka ndarë disa nga postimet nga përdoruesit që ata bllokuan, të cilat përfshinin gjuhë të dhunshme dhe poshtëruese ndaj grave kineze. Megjithatë, postimet e tjera të censuruara të “Weibos” të kapura nga CNN ishin nga përdoruesit që shprehnin shqetësime për dhunën ndaj grave dhe u bënin thirrje njerëzve që të “vazhdonin të flisnin”.
Edhe
Rrëfime tronditëse nga Sudani: dhunë seksuale dhe rrëmbime gjatë luftës
Disa raporte të medias shtetërore fillimisht e minimizuan aktin e ngacmimit seksual të burrit si “përpjekje për të nisur një bisedë”, duke shkaktuar reagime nga lexueset femra.
Përktheu: Blerta Haxhiu