Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kevin McCarthy ka njoftuar të martën se ka udhëzuar një komitet për të hapur një hetim për gjykimin e presidentit Joe Biden mbi marrëveshjet biznesore të familjes së tij, raportoi "AP News".
McCarthy ka thënë se hetimi i deritanishëm i Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve ka gjetur “kulturë korrupsioni” rreth familjes Biden, teksa republikanët po hetojnë marrëdhëniet e biznesit të djalit të presidentit, Hunter Biden, përpara se Joe Biden ta merrte detyrën.
“Këto janë akuza për shpërdorim të pushtetit, pengim dhe korrupsion, dhe kërkojnë hetim të mëtejshëm nga Dhoma e Përfaqësuesve. Kjo është arsyeja pse sot po udhëzoj komitetin e Dhomës sonë të hapë një hetim zyrtar për shkarkimin e Presidentit Joe Biden”, ka thënë McCarthy.
McCarthy po planifikon t’i mbledhë ligjvënësit në disa takime me dyer të mbyllura këtë javë, duke përfshirë një takim për të diskutuar shkarkimin e Bidenit.
Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë kërkesën për shkarkimin si të motivuar politikisht.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po hetojnë marrëdhëniet e biznesit të Hunter Biden, por deri më tani nuk kanë prodhuar prova të forta që i lidhin ata dhe presidentin.
Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se Bideni nuk ishte i përfshirë në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij.