Në luftë, mjegulla mbulon ngjarjet që kanë ndodhur dhe që nuk kanë ndodhur dhe errësojnë të kuptuarit e asaj që mund të ndodhë më pas. Dhe nuk zvarritet në këmbët e maceve të vogla, por përhapet në çast ndërsa Rusia dhe Ukraina përfitojnë nga mediat sociale, aplikacionet e mesazheve dhe uria e botës për lajme për të nxjerrë në pah fakte dhe mashtrime
Në fushëbetejat e Ukrainës, mjegulla e luftës ka rrënuar ushtarët. Dhe larg frontit të luftës, miazma po aq çorientuese ka ndikuar tek ata që duan të kuptojnë se çfarë po ndodh në luftë.
Dezinformimi, keqinformimi dhe mungesa e informacioneve kanë turbulluar të kuptuarit e luftës nga civilët. Zyrtarët nga të dyja anët raportojnë për komplote që po përgatiten nga armiku dhe të cilat nuk realizohen kurrë. Fitoret e shpallura nga ata nuk mund të konfirmohen, ndërkaq janë të heshtur për disfatat.
Asgjë nga këto nuk është unike për konfliktin Rusi-Ukrainë. Çdo shtet në luftë ul të vërtetën për të ngritur moralin në front, për të fituar mbështetje nga aleatët dhe për t’u përpjekur që ta bindë armikun që ta ndryshojë qëndrimin e tij.
Mirëpo lufta më e madhe tokësore e Evropës në dekadat e fundit – dhe më e madhja që nga fillimi i epokës digjitale – po zhvillohet në hapësirë informacioni “valë të nxehtë”. Dhe teknologjia moderne e komunikimit, teorikisht forcë për përmirësimin e njohurive publike, tenton të shumëfishojë konfuzionin sepse mashtrimet dhe gënjeshtrat arrijnë tek audienca menjëherë.
“Qeveria ruse po përpiqet të tregojë një version të caktuar të realitetit, por gjithashtu pompohet nga qeveria ukrainase dhe mbrojtësit e kauzës së Ukrainës. Dhe këta njerëz gjithashtu kanë qëndrime dhe po përdorin informacionin në mënyrë shumë efektive me qëllim që të formësojnë pikëpamjet tona për luftën dhe ndikimin e saj”, thotë Andrew Weiss, analist në Fondacionin “Carnegie” për Paqen Ndërkombëtare.
“Mjegulla” e informacionit
Edhe para se të niste lufta, konfuzioni dhe kontradiktat ishin të përhapura.
Rusia, ani pse grumbulloi mijëra ushtarë në kufi, pretendonte se nuk kishte ndërmend të pushtonte vendin fqinj. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy vazhdimisht mohonte gjasat për luftë – qëndrim alarmant për disa aleatë perëndimorë – ani pse mbrojtja e Kievit tregoi se forcat ukrainase ishin fort mirë të përgatitura fiks për këtë eventualitet.
Brenda ditës së parë të fillimit të luftës më 24 shkurt, nisi përhapja e dezinformatave, sidomos tregimi për “Fantazmën e Kievit”, pilotit ukrainas, i cili rrëzoi gjashtë aeroplanë rusë. Origjina e këtij tregimi është e paqartë, mirëpo shumë shpejtë u përhap nga llogaritë e zyrtarëve ukrainas, para se autoritetet të konfirmonin se ishte veç mit.
Një nga rastet më flagrante të dezinformimit u përhap në javën e dytë të luftës, kur spitali i maternitetit në qytetin e rrethuar të Mariupolit u bombardua nga ajri. Pamjet e shkrepura nga fotografi i “Associated Press”, medias së vetme që kishte ekip në qytet, tronditi botën, sidomos me pamjet e shtatzënës që po mbartej nga mjekët nëpër rrënoja.
Sulmi brutal rrëzoi të gjitha pretendimet e Rusisë se po bombardonte vetëm caqet ushtarake dhe po shmangte objektet civile. Rusia me shpejtësi nisi fushatën e shumëanshme dhe më pak koherente për të zbutur pakënaqësinë ndaj veprimeve ushtarake.
Diplomatët, përfshirë ambasadorin e Rusisë në OKB, kundërshtuan raportimin dhe fotografitë e AP-së, duke i cilësuar si lajme të rrejshme. Ambasadori pretendonte se pacientja e intervistuar pas sulmit, e cila po qëndronte në këmbë dhe pa lëndime – dhe gruaja shtatzënë ishin personi i njëjtë dhe se ajo ishte aktore. Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov pretendonte se luftëtarët ukrainas po strehoheshin në spital, duke e bërë atë cak legjitim.
Pacientja e intervistuar më vonë e mjegulloi situatën duke thënë se nuk u kishte dhënë leje gazetarëve që ta citonin, teksa kishte shtuar se nuk kishte dëgjuar asnjë aeroplanë mbi spital para shpërthimit, duke paralajmëruar se spitali mund të ishte sulmuar me mortaja sesa me aeroplanë. Autoritetet ruse shfrytëzuan këto deklarata për të forcuar pretendimet e tyre, ani pse gruaja konfirmoi se sulmi ishte i vërtetë.
Një javë më vonë, teatri i Mariupolit u shkatërrua nga bombardimi ajror, ani pse fjala “fëmijë” ishte shkruar në rusisht me shkronja të mëdha në dy vende përreth teatrit, për të treguar se civilët ishin strehuar aty. Nga bombardimi humbën jetën më shumë se 600 persona.
Rusia kishte mohuar sulmin, duke pretenduar sërish se ushtarët ukrainas po strehoheshin brenda dhe se vetë ata kishin hedhur në erë ndërtesën.
Keqinformimi i Rusisë
Ministria ruse pothuajse çdo ditë bën pretendime për vrasjen e dhjetëra apo qindra ushtarëve ukrainas, të cilat nuk mund të konfirmohen dhe besohet gjerësisht se janë të rreme.
Në janar, Ministria e Mbrojtjes u mburr se forcat e saj vranë deri në 600 ushtarë ukrainas në sulmin me raketa ndaj ndërtesave në qytetin e Kramatorsk, ku ushtarët u sulmuan përkohësisht. Megjithatë, gazetarët duke përfshirë një reporter të AP-së që shkoi në vend të nesërmen gjetën ndërtesat pa dëmtime serioze dhe pa asnjë shenjë vdekjeje.
Rusia gjithashtu ka raportuar se sulmi i supozuar ishte në hakmarrje për një sulm ukrainas në një bazë ruse gjatë të cilit mbetën të vrarë 89 ushtarë rusë, një nga disfatat më të rënda që ka pësuar Rusia në një betejë.
Ndonjëherë fakti i shkatërrimit tronditës nuk mund të mohohet, por kush e shkaktoi atë është çështje jo e qëndrueshme. Kur katedralja e njohur në Odesa u dëmtua rëndë në korrik, Ukraina raportoi se ishte goditur nga një raketë ruse; Rusia u kundërpërgjigj duke thënë ishte goditur nga mbetjet e një rakete të mbrojtjes ukrainase.
Shpërthimi katastrofik i digës Kakhovka në muajin maj, e cila ishte nën kontrollin rus, solli raportime të ndryshme nga Rusia, e cila pretendonte se ishte goditur nga raketat ukrainase dhe Ukraina, e cila pretendoi se forcat ruse e hodhën në erë. Një analizë e AP-së zbuloi se Rusia kishte mjetet dhe motivin për ta shkatërruar digën, e cila ishte i vetmi vendkalim i mbetur midis brigjeve të lumit Dnieper të kontrolluar nga Rusia dhe Ukraina në provincën Kherson.
Të dyja palët luajnë në lojën e demonizimit të palës tjetër me pretendimet se secila po planifikonte sulme dinake. Shpesh njëra palë pretendon se tjetra po përgatit sulm me “flamur të rremë”, si kur Ukraina kur pretendoi se Rusia kishte planifikuar sulme me raketa ndaj aleatit të saj Bjellorusisë në mënyrë që të fajësonte Ukrainën dhe të tërhiqte ushtrinë e Bjellorusisë në luftë.
Rusia dhe Ukraina të dyja thirren në spektrin e katastrofës bërthamore. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tërhoqën vëmendjen mbarëbotërore në tetor me pretendimet se Ukraina po përgatiste “bombën e pistë” - armë konvencionale që përhap material radioaktiv. Zelenskyy në anën tjetër vazhdimisht ka paralajmëruar se Rusia ka vendosur eksplozivë për të shkaktuar katastrofë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, të cilin ajo e kontrollon. Për këto qëndrime mungojnë dëshmitë.
Rreziku për të ardhmen
Në luftë, mjegulla mbulon ngjarjet që kanë ndodhur dhe që nuk kanë ndodhur - dhe errësojnë të kuptuarit e asaj që mund të ndodhë më pas. Dhe nuk zvarritet në këmbët e maceve të vogla, por përhapet në çast ndërsa Rusia dhe Ukraina përfitojnë nga mediat sociale, aplikacionet e mesazheve dhe uria e botës për lajme për të nxjerrë në pah fakte dhe mashtrime.
Dhe ajo që ka ndodhur ose nuk ka ndodhur nuk është ushqimi i vetëm. Ajo që mund ose nuk mund të ndodhë është gjithashtu një lojë e ndershme. Herë pas here, akuzat e errëta për atë që pala tjetër po planifikon bëjnë një hap më tej dhe ankohen për atë që supozohet se nuk do të ndodhë.
Kur një gazetar rus vdiq në një sulm nga forcat ukrainase në korrik, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova pohoi brenda disa orësh se një reagim për vdekjen e tij nga organizatat ndërkombëtare nuk kishte gjasa të ndodhte. Ajo kishte thënë se “hipokrizia patologjike ka qenë prej kohësh traditë politike e liberalizmit perëndimor dhe refleksi i tij i pakushtëzuar”.
Të vetmit që reaguan për vdekjen e gazetarit rus ishin shefi i UNESCO-s dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve.
Përktheu: Gent Mehmeti