Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dështimi i Suedisë, mbreti kritikon shtetin e tij për menaxhimin e pandemisë

Mbreti i Suedisë ka thënë se shteti i tij ka dështuar në menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, duke e kritikuar ashpër qeverinë për politikat që kanë rezultuar me ngritjen e numrit të vdekjeve në mesin e të moshuarve.

Carl XVI Gustaf, i biri i të cilit ishte infektuar me koronavirus gjatë muajit nëntor, ka shfrytëzuar paraqitjen në televizionin kombëtar për të folur rreth ndikimit të rëndë që ka pasur pandemia në Suedi.

Shteti skandinav kishte refuzuar zbatimin e masave të izolimit dhe rregullin e mbajtjes së maskave mbrojtëse.

Që prej fillimit të pandemisë vendi nuk ka mbyllur as shkollat dhe bizneset, ndërkaq ka rekomanduar distancën sociale dhe higjienën për të ngadalësuar përhapjen.

“Besoj se kemi dështuar”, ka thënë shkurt mbreti suedez.

Suedia ka regjistruar më shumë se 7 mijë e 800 të vdekur, një shifër kjo më e lartë sesa te shtetet e tjera skandinave.