Një e mbijetuar e sulmit rus mbi teatrin e stërmbushur me civilë në qytetin ukrainas, Mariupol, ka dëshmuar tmerrin e përjetuar pas bombardimit rus.
Maria Radionova, 27 vjeçe, ishte në shkallët e teatrit kur ndërtesa u bombardua nga ajri ditën e 16 marsit.
“Nuk po e merrja vesh çfarë po ndodhte. Në një moment, dëgjova një vërshëllimë dhe pastaj një burrë afër meje më kapi me dy duart për fyti dhe më hodhi përtokë. Pastaj më shtyu për muri dhe më mbuloi me trupin e tij. Dhe rrënojat po na binin mbi trup. Kishte copa betoni e tjegullash”, ka treguar Maria Radionova, e mbijetuara e sulmit.
Mariupoli, qytet strategjik që shtrihet përgjatë brigjeve jugore të Ukrainës, është sulmuar pothuajse gjatë gjithë luftës që nisi më 24 shkurt. Disa ditë me radhë, Qeveria vendëse nuk ia doli të njoftonte për numrin e viktimave pas sulmit mbi teatrin e dramës në Mariupol, para të cilit ishte shkruar rusisht “Fëmijë”, që t’i dëshmohej ushtrisë ruse se kishte civilë të strehuar në bodrumin e tij.
Zyrtarët e Mariupolit kanë njoftuar së fundmi për së paku 300 civilë të vrarë nga bombardimi rus. Radionova thotë se shumë prej viktimave u shtypën për vdekje pas panikut që ngjalli sulmi.
“Kishte panik të madh. Njerëzit po vraponin, njerëzit po shtyheshin. Jam e bindur se turma ua mori jetën më shumë njerëzve se vetë sulmi, sepse njerëzit po mundoheshin të dilnin jashtë”, ka treguar Radionova.
Edhe
Bomba ruse godet një ndërtesë, 5 të vdekur në jug të Ukrainës
Radionova, e cila humbi dy qentë në sulmin mbi teatrin, tani ndodhet në qytetin Zaporizhia në pjesën qendrore të vendi, ku është strehuar me shoqet.
“Mbërrita në krahinën Peshanka, pastaj shkova në Milekino. Dhe u vendosa në shtëpinë e njerëzve që më strehuan. Kam ecur këmbë deri në Brdiansk. Aty pastaj u bëra bashkë me një kolonë autobusësh dhe arrita në Zaporizhia, ku që disa ditë po më prisnin shoqet e mia”, ka treguar ajo.
Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë thonë se sulmi në Mariupolin e rrethuar duhet të hetohet e gjykohet për krime lufte të kryera nga Rusia e Vladimir Putinit. Shumë qytete, përfshirë Mariupolin, po vazhdojnë të bombardohen nga ajri, pasi ushtria ruse po detyrohet të tërhiqet nga disa pjesë pas kundërsulmeve të ushtrisë dhe vullnetarëve të Ukrainës.