Botë

Dëshmi për përdhunimin e grave izraelite nga Hamasi

Hetuesit pranojnë se në ato ditët e para kaotike pas sulmeve, me disa zona ende zona luftarake aktive, mundësitë për të dokumentuar me kujdes skenat e krimit ose për të marrë prova mjeko-ligjore ishin të kufizuara ose të humbura.

Disa njerëz të përfshirë në mbledhjen dhe identifikimin e trupave të të vrarëve në sulm na thanë se kishin parë shenja të shumta të sulmit seksual, përfshirë thyerje të legenit, mavijosje, prerje dhe lot, dhe se viktimat ishin prej fëmijëve, adoleshentëve e deri te pensionistët.

Dëshmia video e një dëshmitari okular në festivalin e muzikës Nova, e treguar për gazetarët nga policia izraelite, detajonte përdhunimin në grup, gjymtimin dhe ekzekutimin e një viktime.

Videot e grave të zhveshura dhe të gjakosura të filmuara nga Hamasi në ditën e sulmit, dhe fotografitë e trupave të marra, tregojnë se gratë ishin sulmuar seksualisht. Pak viktima mendohet se kanë mbijetuar për të treguar historitë e tyre.

Momentet e tyre të fundit po grumbullohen së bashku nga të mbijetuarit, mbledhësit e trupave, stafi i morgut dhe pamjet nga vendet e sulmit.

Policia u ka treguar privatisht gazetarëve një dëshmi të vetme të tmerrshme që filmoi një grua që ishte në vendin e festivalit Nova gjatë sulmit.

E mbijetuara përshkruan se kishte parë luftëtarët e Hamasit të përdhunonin një grua dhe ta gjymtonin atë, përpara se sulmuesi i fundit ta qëllonte në kokë teksa ai vazhdonte ta përdhunonte.

Në video, gruaja e njohur si Dëshmitarja S imiton sulmuesit duke marrë dhe kaluar viktimën nga njëri te tjetri.

“Ajo ishte gjallë”, thotë dëshmitarja. “I rridhte gjak nga shpina”.

Ajo vazhdon të detajojë se si burrat prenë pjesë të trupit të viktimës gjatë sulmit.

“Ia prenë gjoksin dhe e hodhën në rrugë”, thotë ajo. “Ata po luanin me të”.

Viktima i është kaluar një burri tjetër me uniformë, vazhdon ajo.

Një burrë me të cilin folëm nga vendi i festivalit tha se dëgjoi “zhurmat dhe britmat e njerëzve që vriteshin, përdhunoheshin dhe në fund ua prenë kokat”.

Në pyetjen tonë se si mund të ishte i sigurt - pa e parë - se britmat që dëgjoi tregonin sulm seksual dhe jo lloje të tjera dhune, ai tha se besonte duke dëgjuar në atë kohë se mund të kishte qenë vetëm përdhunim.

Image

Një deklaratë që ai bëri përmes një organizate mbështetëse e përshkruan atë sjellje si “çnjerëzore”.

“Disa gra u përdhunuan para se të vdisnin, disa u përdhunuan gjersa u plagosën dhe disa ishin tashmë të vdekura kur terroristët përdhunuan trupat e tyre të pajetë”, thuhet në deklaratën e tij. “Doja dëshpërimisht të ndihmoja, por nuk mund të bëja asgjë”.

Policia thotë se ka rrëfime me “bollëk” të dëshmitarëve okularë të sulmeve seksuale, por nuk do të jepte më shumë sqarime se kaq. Kur folëm me ta, ata nuk kishin intervistuar ende asnjë viktimë të mbijetuar.

Rrëfimi i të mbijetuarve

Ministrja e Fuqizimit të Grave të Izraelit, May Golan, i tha BBC-së se disa viktima të përdhunimit ose sulmeve seksuale i kishin mbijetuar sulmeve dhe se të gjitha aktualisht po merrnin trajtim psikiatrik.

“Por shumë, shumë pak kanë mbetur. Shumica u vranë brutalisht”, ka treguar ajo. “Ato nuk janë në gjendje të flasin - as me mua dhe as me askënd nga qeveria ose nga mediat”.

Videot e filmuara nga Hamasi përfshijnë pamjet e një gruaje, të prangosur dhe të marrë peng me prerje në krahë dhe me gjak në pjesën e pasme të pantallonave të saj.

Në të tjera, gratë e rrëmbyera nga luftëtarët duken të zhveshura ose gjysmë të veshura.

Fotografi të shumta nga vendet pas sulmit tregojnë trupat e grave të zhveshura nga beli e poshtë, ose me të brendshme të grisura në njërën anë, këmbët e hapura, me shenja të traumës në organet gjenitale dhe këmbët.

“Duket me të vërtetë sikur Hamasi mësoi se si të përdornin si armatim trupat e grave nga ISIS-i [grupi Shteti Islamik] në Irak, nga rastet në Bosnje”, ka treguar Dr Cochav Elkayam-Levy, ekspert ligjor në Institutin Davis të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Hebraik.

“Rrëqethem vetëm të di detajet që ata dinin se çfarë t’u bënin grave: prerja e organeve, gjymtimi i organeve gjenitale, përdhunimi. Është e tmerrshme ta dish këtë”.

“Kam folur me të paktën tre vajza që tani janë shtruar në spital për një situatë shumë të rëndë psikiatrike për shkak të përdhunimeve që panë”, më tha ministrja May Golan. “Ato u shtirën si të vdekura dhe panë e dëgjuan gjithçka”.

Shefi i policisë izraelite, Yaacov Shabtai, ka treguar se shumë të mbijetuar të sulmeve e kishin të vështirë të flisnin dhe se ai mendonte se disa prej tyre nuk do të dëshmonin kurrë për atë që panë ose përjetuan.

“Tetëmbëdhjetë të rinj dhe të reja janë shtruar në spitalet e shëndetit mendor sepse nuk mund të funksiononin më”, ka thënë ai.

Të tjerët thuhet se mendojnë për vetëvrasjen. Një nga ata që punonin me ekipet rreth të mbijetuarve i tha BBC-së se disa tashmë kishin vrarë veten.

Pjesa më e madhe e provave kanë ardhur nga mbledhësit vullnetarë të trupave të vendosur pas sulmeve, dhe nga ata që trajtuan trupat pasi arritën në bazën e ushtrisë Shura për identifikim.

Një nga mbledhësit e trupave që ishte vullnetar në organizatën fetare Zaka përshkroi shenja torture dhe gjymtimi, të cilat përfshinin, tha ai, një grua shtatzënë të cilës i ishte çarë barku para se të vritej dhe fetusi i saj ishte therur me thikë ndërsa ishte brenda saj.

BBC-ja nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këtë deklaratë, dhe raportet e mediave izraelite kanë vënë në pikëpyetje disa dëshmi nga vullnetarët që punojnë në pasojat traumatike të sulmeve të Hamasit.

Masakrimi i grave

Një tjetër, Nachman Dyksztejna, dha dëshmi me shkrim pasi kishte parë trupat e dy grave në kibuc Be’eri me duart dhe këmbët e tyre të lidhura në një shtrat.

“Njëra u terrorizua seksualisht me një thikë të ngulur në organin gjenital dhe ia hoqën të gjitha organet e brendshme”, thuhet në deklaratën e tij.

Në vendin e festivalit, ai thotë se strehët e vogla ishin “të mbushura me grumbuj grash. Rrobat e tyre ishin grisur në pjesën e sipërme, por fundi i tyre ishte krejtësisht i zhveshur. Grumbuj e grumbuj grash. Kur i shikonit afër nga koka, kishin një goditje të vetme, drejt e në trurin e secilës”.

Qindra trupa u mblodhën nga vendet e sulmit nga vullnetarët.

Hetuesit pranojnë se në ato ditët e para kaotike pas sulmeve, me disa zona ende zona luftarake aktive, mundësitë për të dokumentuar me kujdes skenat e krimit ose për të marrë prova mjeko-ligjore ishin të kufizuara ose të humbura.

“Për pesë ditët e para, ne kishim ende terroristë në terren në Izrael”, ka treguar May Golan. “Dhe kishte qindra, qindra trupa kudo. Ata u dogjën, ishin pa organe, ishin therur plotësisht”.

“Kjo ishte një ngjarje me viktima masive”, ka thënë zëdhënësi i policisë Dean Elsdunne para gazetarëve në një konferencë.

“Gjëja e parë ishte të punohej për identifikimin e viktimave, jo domosdo në hetimin e vendit të krimit. Njerëzit prisnin të dëgjonin se çfarë ndodhi me të dashurit e tyre”.

Ka qenë personeli në bazën e ushtrisë Shura, ku kanë mbërritur trupat për identifikim, të cilët u kanë ofruar hetuesve disa nga provat më të rëndësishme.

Kjo provë doli nga një qendër e improvizuar tendash dhe kontejnerë transporti frigoriferikë të vendosur në bazë për të identifikuar trupat.

Ekipet këtu na thanë se kishin parë prova të qarta të përdhunimit dhe dhunës seksuale në trupat që vinin, duke përfshirë legenin e thyer nga abuzimi i vazhdueshëm i dhunshëm.

“Ne shohim gra të të gjitha moshave”, i tha BBC-së një nga rezervistët në ekipin mjeko-ligjor, kapitenia Maayan. “Ne shohim viktima të përdhunimit. Ne shohim gra që kanë përjetuar dhunë. Kemi patologë dhe shohim mavijosjet, mësojmë për prerjet dhe lotët dhe e dimë se ato janë abuzuar seksualisht”.

E pyes se çfarë përqindje e trupave me të cilat ka trajtuar tregojnë shenja të kësaj.

“E bollshme”, thotë ajo. “Numër i mjaftueshëm i grave dhe vajzave të të gjitha moshave”.

Numri i viktimave është vështirë të përcaktohet, pjesërisht për shkak të gjendjes së trupave.

“Është pa dyshim e shumëfishtë”, tha një tjetër ushtare në shërbim, e cila na kërkoi të përdornim vetëm emrin e saj të parë, Avigayil. “Është e vështirë të thuash. Unë jam marrë me më shumë se disa trupa të djegur dhe nuk e kam idenë se çfarë kanë kaluar më parë. Dhe trupat që u mungon gjysma e poshtme - gjithashtu nuk e di nëse janë përdhunuar. Por gratë që u përdhunuan qartë? Ka mjaft. Më shumë se sa duhet”. (Përktheu: Blerta Haxhiu)