Numri i derrave në Gjermani është në një rekord të ulët pasi fermerët luftojnë kundër rritjes së kostove të mbarështimit. Kjo është pasojë e krizës energjetike në një nga vendet më të zhvilluara në botë, shkruan CNN.
Byroja Federale e Statistikave (Destatis) ka njoftuar se rezervat e derrave, si dhe numri i derrave në ferma, u reduktuan për shkak të situatës së vështirë ekonomike. Ata theksuan se rritja e çmimeve të energjisë, plehrave dhe ushqimeve për këtë kafshë e bëri prodhimin më të shtrenjtë.
Deri më 3 nëntor janë regjistruar 21.3 milionë derra, që është 10 për qind më pak se një vit më parë dhe 20 për qind më pak se më 2020. Destatis ka theksuar se ky është numri më i ulët i derrave në histori të Gjermanisë.
Në Gjermani ka 1900 ferma më pak këtë vit, ndërkohë që ky reduktim nga viti 2020 në 2021 arriti në 1600. Sipas të dhënave nga tetori i këtij viti, muaji i fundit për të cilin ka të dhëna, kostot e prodhimit janë rritur për gati 47 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Dhe këto të dhëna tregojnë se industria gjermane po vuan nga rritja e çmimeve të energjisë që filloi pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Shumë prodhues në sektorë me energji intensive, që vlen edhe për industrinë kimike, kanë reduktuar prodhimin, ndërsa disa po pushojnë nga puna punëtorët dhe/ose zhvendosin operimet jashtë vendit për të ulur kostot operative.
Ekonomisti i Deutsche Bank, Marc Schatenberg, ka thënë dy milionë punëtorë gjermanë mund të detyrohen të shkojnë me pushime në pranverë për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe mungesës së mundshme të gazit.