Policia ua ka mbyllur rrugën deputetëve të opozitës në Malajzi, derisa po mundoheshin të arrinin te ndërtesa e Parlamentit të këtij vendi, të mbyllur para dy javësh.
Deputetët konsiderojnë se pushteti nuk po lejon rifillimin e punimeve të Kuvendit nga frika se Qeveria mund të rrëzohet me mocion votëbesimi.
Kryeministri, Muhijdin Jasin ka marrë vendim që ta shtyjë rihapjen e Kuvendit dhe së paku për dy javë nuk do të lejohet mbajtja e asnjë seance parlamentare. Ministria e Shëndetësisë pretendon se 11 nga rastet e fundit me koronavirus ishin pjesë e stafit të Kuvendit.
Deputetët dhe aktivistët kanë vënë në dyshim kohën e mbylljes pasi mbreti kritikoi ashpër Qeverinë e Muhijdinit për mbylljen e parlamentit, pavarësisht pretendimit të autoriteteve se krejt masat janë pjesë e luftës kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Opozita menjëherë kishte ndërmend të dorëzonte kërkesën për votëbesim.