Një burrë nga New Jersey i cili ka shfrytëzuar aplikacionet e lidhjeve për të tërhequr dhe më pas vrarë tri gra, pesë vjet më parë, është dënuar të mërkurën me 160 vjet burgim.
Gjykimi ndaj tij thuhet se ka nisur pasi një mike e njërës prej viktimave, ka bërë vetë punë detektive në rrjetet sociale, duke arritur që ta zbulojë të dyshuarin pranë organeve të hetuesisë.
Khail Wheeler-Weaver, 25-vjeçar qëndronte pa lëvizur teksa gjyqtari po i shqiptonte dënimin, në një gjykatë në Neëark. Ndërkohë, vendimi i gjykatës u shoqërua me qëndrime emocional nga familjarë të viktimave, Robin West dhe Sarah Butler.
Wheeler-Weaver e ka mohuar përgjegjësinë për vrasjet para gjyqtarit Mark S. Ali.
Dënimi me 160 vjet burgim mbulon tri vrasje, një vrasje në tentativë, derisa akuzat e tjera kishin të bëjnë me kidnapim, zjarrvënie e rëndë dhe përdhosje e mbetjeve njerëzore.
Edhe
Vritet amerikani që u lirua nga burgu pasi që ishte dënuar për gjashtë vrasje
Prokurorët e rastit kanë deklaruar se Wheeler-Weaver, atëkohë 20 vjeç, kishte shfrytëzuar disa aplikacione për t’i tërhequr gratë për marrëdhënie seksuale dhe më pas i vriste. Trupat e pajetë të viktimave ishin gjetur mes shtatorit e dhjetorit të vitit 2016, në New Jersein verior.
Hulumtuesit kanë prezantuar po ashtu edhe të dhëna nga telefoni i tij, i cili e lokalizonte atë në vendet ku viktimat ishin zhdukur dhe më pas u ishin gjetur trupat.
Njëri nga prokurorët ka deklaruar se vrasjet kishin dallime kohore prej javësh, duke i dhënë kështu mundësin Wheeler-Weaverit që t’i parashikonte aksionet e tij para se të vriste përsëri.
Njëra nga viktimat, Robin West atëkohë 19-vjeçare, ishte parë në veturë me Wheeler-Weaver natën e 31 gushtit të vitit 2016, dhe ajo ishte vrarë pak orë më pas, kanë bërë të ditur prokurorët.
Sipas tyre, ai e kishte vrarë Westin dhe më pas e kishte dërguar në një shtëpi të pabanuar të cilës i kishte vënë flakën. Janë dashur plotë dy javë që të identifikoheshin mbetjet e saj, kanë shtuar prokurori.
Edhe
Burri që po gjykohet për vrasjen e dy vajzave të tij në Teksas, mund edhe t’i ketë abuzuar
Ndërkaq, Tiffany Taylor e cila kishte arritur të shpëtonte nga ai, ka dhënë dëshminë në gjykatë, duke thënë se jeta e saj ka ndryshuar pas këtij rasti.
“E tërë jeta ime ka ndryshuar. Nuk grimohem më, nuk kam miq. Jam gjithnjë paranojake. Por jam e lumtur që jam ende këtu”, ka thënë ajo derisa ka kërkuar nga gjykata që të mos ndiejnë keqardhje për të sepse siç ka thënë, ai nuk kishte ndierë keqardhje kur kishte vepruar ashtu.
