Vendimi i Gjykatës së Apelit në Beograd për të rrëzuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe për të liruar katër të akuzuarit për vrasjen e gazetarit Sllavko Quruvija - Radomir Markoviqin, Millan Radonjiqin, Mirosllav Kurakin dhe Ratko Romiqin është dekurajues dhe paraqet një ditë të trishtueshme për gazetarinë në Serbi, thuhet në një reagim të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Është dëshpëruese të shohësh se drejtësia dhe përgjegjësia për vrasësit e Sllavko Quruvija mbesin të pakapshëm, edhe 25 vjet pas vrasjes së tij. Një ditë e trishtuar për gazetarinë në Serbi”, thuhet në reagimin e DASH-it.
“Ne riafirmojmë angazhimin tonë për t'i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve dhe i bëjmë thirrje komunitetit global që të bashkohet për të mbajtur përgjegjës ata që drejtojnë dhe kryejnë dhunë dhe frikësojnë punonjësit e medias”, thuhet në reagimin e tyre.
Ka pasur reagime edhe nga organizata të ndryshme të mediave.
Gjykata e Apelit e Serbisë në Beograd të premten liroi katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija, në prill të vitit 1999.
Gjykata e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe i liroi Radomir Markoviqin nga akuzat për nxitjen e vrasjes së rëndë, si dhe Millan Radonjiqin, Mirosllav Kurakin dhe Ratko Romiqin nga akuzat për bashkëpjesëmarrje në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Quruvija ishte pronar dhe redaktor i “Dnevni telegraf” (Telegrafi Ditor) dhe i gazetës javore, “Evropljanin”, (Evropiani).
Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte.
Ai ishte kritik i madh i presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Gjykimi për vrasjen e tij nisi në qershor të vitit 2015 – gati 17 vjet pas vdekjes së tij.
Më 2019, Gjykata Speciale në Beograd i shpalli fajtorë për vrasjen e tij katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Gjykata tha se vrasësi i drejtpërdrejtë i tij ishte një person i panjohur.