Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndaluar përkohësisht fondet shtesë për Agjencinë e OKB-së për ndihmën dhe punën për refugjatët në Palestinë dhe Lindjen e Mesme, mes akuzave se disa punonjës janë përfshirë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.
Zëdhënësi i DASH-it, Matt Miller, tha se duhet një hetim i plotë dhe i shpejtë për këtë çështje.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken foli me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 25 janar për të theksuar domosdoshmërinë e një hetimi të plotë dhe të shpejtë të kësaj çështjeje. Ne mirëpresim vendimin për të kryer një hetim të tillë dhe zotimin e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për të ndërmarrë veprime vendimtare për t'u përgjigjur, nëse pretendimet rezultojnë të sakta”, tha Miller.
Miller, mes tjerash, shtoi se SHBA-ja ka kontaktuar qeverinë izraelite për më shumë informacion rreth akuzave dhe ka informuar anëtarët e Kongresit, raportoi CNN.
Departamenti mirëpriti gjithashtu njoftimin e OKB-së për një rishikim gjithëpërfshirës dhe të pavarur të agjenicsë për ndihmë dhe punë për refugjatët në Palestinë dhe Lindjen e Mesme.
"UNRWA luan një rol kritik në ofrimin e ndihmës për shpëtimin e jetëve për palestinezët, duke përfshirë ushqimin thelbësor, ilaçet, strehimin dhe mbështetje të tjera jetike humanitare. Puna e tyre ka shpëtuar jetë dhe është e rëndësishme që UNRËA të adresojë këto pretendime dhe të marrë masat e duhura korrigjuese, duke përfshirë rishikimin e politikave dhe procedurave ekzistuese”, tha zëdhënësi i DASH-it.
-
Izraeli ndalon Agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë
-
OKB-ja paralajmëron se ndalimi i financimit rrezikon shembjen e sistemit humanitar në Gazë
-
Edhe shtete të tjera pezullojnë fondet për UNRWA-në pas hetimeve ndaj punonjësve të saj
-
DASH-i paralajmëron për rreziqe të shtuara sigurie, objektet diplomatike në shënjestër
-
Izraeli shkatërron selinë e OKB-së në Jerusalem