Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

COVID-i kthen praktikën e synetisë së vajzave në Afrikë

Biznesi i Safia Ibrahimit ishte në telashe. COVID-19 ishte përhapur në Somaliland, në Bririn e Afrikës. E veja 50-vjeçare, që kishte 10 fëmijë për t’i mbajtur, u nis derë më derë në periferi të qytetit, me brisk në dorë, duke përfituar nga izolimi për të kërkuar punë me vetëm një pyetje: A ju janë bërë vajzat synet? Ajo beson se puna e saj i mban vajzat të pastra për martesë, ani pse tashmë e di se nuk ka asnjë arsye mjekësore apo edhe fetare për heqjen e organeve gjenitale të jashtme, të cilat mund të shkaktojnë gjakrrjedhje të tepërt, probleme me lindjen e fëmijëve, infeksione, e madje edhe vdekje.

Mirëpo, kjo mbetet e ligjshme në Somaliland, kështu që Safia Ibrahimi do të vazhdojë derisa autoritetet të jenë ato që e ndalin.

Në Somaliland, rajon i shkretë që u nda nga Somalia tri dekada më parë dhe kërkon njohjen si vend i pavarur, vlerësimet e komunitetit nga punonjësit e Qeverisë dhe grupet e ndihmës zbuluan se rastet e gjymtimit gjenital të vajzave u rritën gjatë izolimit gjashtëmujor të pandemisë.

Grupet e avokimit thonë se kanë parë gjithashtu rritje të gjymtimeve edhe në Kenia, Tanzani, Sudan dhe Somali.