Një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i sfidon pikëpamjet tradicionale të shoqërisë afrikane. Njerëzit në kontinetin e vjetër po ndihen gjithnjë e më të vetmuar. Adoleshentët janë më të prekurit nga kjo dukuri. Disa e fajësojnë për këtë teknologjinë, të tjerë urbanizimin dhe kostot e jetesës. Disa të tjerë thonë se afrikanët po e kopjojnë kulturën perëndimore.
Vetmia ka qenë një tipar i vazhdueshëm i jetës së Macyleen që kur ishte nëntë vjeç dhe nëna e saj vdiq në qytetin e tyre të lindjes në Zimbabve. Ajo u dërgua të jetonte me të atin, por ai punonte shumë larg shtëpisë. Gruaja e tij e re i urrente fëmijët e tjerë të tij dhe i abuzonte emocionalisht.
Macyleen jetonte me tre gjysmëvëllezër, por ata ishin shumë më të mëdhenj. “Ne ishim atje për të mbijetuar dhe për ta arritur ditën tjetër. E dija që isha vetëm”, kujton ajo.
Kjo ndjenjë nuk e ka lënë kurrë vërtet Macyleen, e cila tani është 33 vjeçe, duke ndërtuar një biznes kujdestarie për fëmijë dhe duke i rritur e vetme katër fëmijët e saj në Gqeberha (ish-Port Elizabeth), Afrikën e Jugut.
Ka shumë njerëz në Afrikë që e përjetojnë vetminë, si Macyleen. Sipas një raporti në qershor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Afrika është kontinenti më i vetmuar në botë.
Pothuajse një e katërta (24%) e njerëzve atje raportuan se ndiheshin të vetmuar, dhe adoleshentët e moshës 13 deri në 17 vjeç janë më të prekurit, thotë OBSH-ja. Shkallët e tjera më të larta të vetmisë janë në Mesdheun Lindor (21%), e ndjekur nga Azia Juglindore (18%). Evropa ka shkallën më të ulët, me rreth 10%.
Raporti vjen pasi OBSH-ja e shpalli vetminë një “shqetësim urgjent global të shëndetit publik” dhe ngriti një komision ndërkombëtar mbi lidhjet sociale për ta shqyrtuar problemin.

Vetmia s’njihet si problem në Afrikë
Afrika tradicionalisht shihet si një vend me një kulturë kolektiviste, që i jep përparësi nevojave dhe qëllimeve të grupit në tërësi, mbi individët. Por kjo po ndryshon.
Dr. Cleopa Mailu, një anëtar i komisionit dhe një ish-ministre e Shëndetësisë keniane, thotë: Reagimi im fillestar ndaj gjetjeve ishte një refuzim.
“Unë jetoj në Afrikë dhe kam tendencë të mendoj se shoqëria që jemi sot është ajo e viteve 1950 ose 60, dhe se ka më shumë vetmi në hemisferën perëndimore. Arrita të kuptoj se ajo ndjenjë që e kisha, ishte thjesht një përvetësim i së kaluarës sonë”, është shprehur ai.
Vetmia nuk njihet si problem në Afrikë, thotë Mailu, dhe njerëzit nuk duan ta diskutojnë atë. Në vend të kësaj, mirëqenia sociale është lënë pas dore në politikat shëndetësore, në favor të përqendrimit në sëmundjet ngjitëse dhe jongjitëse.
Ndërkohë, qytetet në kontinent po zgjerohen me shpejtësi. Gjatë tri dekadave të ardhshme, popullsia urbane e Afrikës do të dyfishohet, duke u rritur nga 700 milionë në 1.4 miliardë deri në vitin 2050.
“Ne kurrë nuk e kuptuam faktin se kemi qenë duke u globalizuar – duke jetuar në kushte që nuk janë tradicionale për popullin afrikan”, shton Mailu. “Në njëfarë mënyre, ne e hodhëm poshtë idenë se ka vetmi dhe izolim në kontinent”.
Mailu ia atribuon nivelet më të larta të vetmisë një shoqërie në ndryshim, urbanizimit dhe globalizimit në rritje, si dhe strukturave të reja qeverisëse, migrimit, varfërisë dhe ndryshimit të pikëpamjeve për pasurinë dhe suksesin.
“Në mjediset tradicionale, pasuria përcaktohej ndryshe”, thotë Mailu. “Thjesht duhej ta kishe një lopë dhe një fermë ose një vend për të kultivuar. Të gjithë ishin në të njëjtin nivel”.
“Tani ka nivele të ndryshme varfërie”, thotë ai. “Ka shumë presion dhe gjen se njerëzit nuk janë bashkë”.
Ndikimi i kulturës perëndimore
Macyleen mund të identifikohet me këtë. Ajo thotë se Afrika në të cilën është rritur, është shumë e ndryshme nga ajo në të cilën jeton sot.
Njerëzit po e kopjojnë kulturën perëndimore, thotë ai: “Gjithçka ka të bëjë me mua ose me njerëzit e mi të ngushtë. Ndoshta kjo është një nga arsyet pse njerëzit po bëhen më egoistë”.
Macyleen e ka të vështirë të hapet me njerëzit, nga frika e gjykimit për shkak se është një nënë beqare me fëmijë me baballarë të ndryshëm, të cilët e kanë braktisur të gjithë. Ajo gjithashtu ka pak mundësi për t'u shoqëruar, duke qenë se po përpiqet ta ndërtojë biznesin e saj dhe t’i rrisë katër fëmijë pa ndihmë financiare.
“Unë luftoj me stresin dhe gjërat po vështirësohen më shumë në Afrikën e Jugut. Ka shumë ksenofobi dhe e kam këtë ndjenjë të rëndë se nuk i përkas më këtij vendi”, thotë ajo.
“Nëse ndodh diçka, unë duhet të jem nëna dhe babai për fëmijët e mi. Ndihem vërtet e vetmuar, veçanërisht sepse kam frikë të dal me dikë. Kujt mund t’i besoj?
“Bota po ndryshon kaq shpejt”, shton ajo. “Dhe ka shumë presion për të qenë mirë, por ne jemi në një mjedis që nuk po na ndihmon”.
Lateefat Odunuga, një psikologe dhe këshilltare globale për Rrjetin Afrikan të Ekspertëve të Politikave Rinore, pajtohet se Afrika po ndryshon nga një kontinent me shumë njerëz në komunitete të ngushta, në një kontinent ku ajo mënyrë tradicionale e jetesës po fshihet nga urbanizimi.
Ajo thotë se vetmia është një çështje urgjente për të rinjtë në të gjithë kontinentin.
“Të rinjtë janë të frustruar”, thotë ajo. “Ka shumë papunësi, abuzim me drogën, probleme të shëndetit mendor. Po shohim shumë të rinj që vdesin nga vetëvrasja”, shton ajo.
Kostoja e rritur e jetesës, shton ajo, do të thotë që njerëzit më parë do të preferonin të qëndronin në shtëpi sesa të shpenzonin para për ngjarje kulturore, për shembull.

Përdorimi i teknologjisë
Odunuga e fajëson teknologjinë për kontributin në problem. Gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin aplikacione të tilla si “TikTok” për argëtim dhe, përmes praktikës së saj në Nigeri, ajo ka dëgjuar për individë që i drejtohen ChatGPT-së për të kontrolluar nëse janë në depresion, në vend që të flasin me një anëtar të familjes, për shembull.
Ndërsa vetmia mund të mos njihet gjerësisht në Afrikë, ka organizata të dedikuara për ta trajtuar atë, thotë ajo. Ajo citon “Friendship Bench”, një qasje e zhvilluar për herë të parë në Zimbabve që i trajnon punonjësit e shëndetit në komunitet për të ofruar terapi bazë njohëse të sjelljes, me theks në planifikimin e aktiviteteve dhe mbështetjen në grup. Modeli është replikuar në vende në të gjithë botën.
Raporti i OBSH-së e nxori në pah programin e mbështetjes së bashkëmoshatarëve AgeWell në Cape Town. Vullnetarët e moshuar u trajnuan për t'u ofruar miqësi dhe shoqëri banorëve të moshuar më pak të aftë në komunitetin e tyre përmes vizitave të rregullta në shtëpi. Pjesëmarrësit nga Afrika e Jugut raportuan më pak vetmi dhe pati një rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes sociale.
“Në varësi të asaj se sa jemi të përkushtuar ndaj kësaj pune”, thotë Odunuga, “mund të ketë një të ardhme për ne për ta trajtuar izolimin social dhe vetminë”.
“Por nëse nuk i bashkojmë njerëzit”, paralajmëron ajo, “jemi të dënuar”.
“Do të kemi shumë probleme përtej shëndetit mendor. Do të jetë një katastrofë dhe një turp i plotë për njerëzimin”.