Botë

Corbyn në përkrahje të referendumit të dytë për mbetjen e Britanisë në BE

Partia opozitare britanike, ajo Laburiste, ka dalë me qëndrim zyrtar për përkrahjen e një referendumi të dytë për mbetjen e vendit në BE.

Lideri i saj, Jeremy Corbyn, në një intervistë u ka bërë thirrje Boris Johnsonit dhe Jeremy Huntit, kandidatëve për kryeministër të Britanisë, që të thërrasin referendum të dytë për këtë çështje.

Partia e tij laburiste ka marrë këtë vendim me qëllim që të ndalë kryeministrin e ri që të largojë Britaninë nga blloku pa marrëveshje, e që do të ishte një shkurorëzim shumë i dëmshëm për britanikët.

Ky vendim i partisë së Corbynit vjen pasi anëtarët e saj dëshirojnë që ai të ndërrojë kahe dhe të marrë qëndrim për mbetjen në BE.

“Konservatorët duan largim pa marrëveshje. Laburistët nuk e duan në tavolinë BREXIT-in pa marrëveshje dhe njerëzit duhet të vendosin nëse do të mbesin në Bashkim Evropian apo ta pranojnë marrëveshjen që do të kishte pasoja të mëdha në çmimin e ushqimit, në shëndetësi dhe në investimet industriale”, ka thënë Corbyn, transmeton KTV.

Corbyn e ka propozuar shtatorin si muaj për organizimin e referendumit, para se të skadojë një tjetër afat për dalje, që është 31 tetori.

E, i pyetur nëse ndërrimi i qëndrimit erdhi si presion nga kolegët e partisë, Corbyn që njihet si kritik i madh i BE-së, tha se e ka dëgjuar me vëmendje secilin prej tyre.

Laburistët këtë vendim e morën pa menduar për pozicionin që do ta kenë në zgjedhjet e ardhshme me Corbynin që deklaroi se vendimi u mor shpejt e shpejt, duke parë situatën, në të cilin ndodhet Britania.