Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Cili është religjioni juaj? Në SHBA është e zakonshme të thuash “asnjanës”

Gjatë viteve të fundit mbizotërimi i të papërcaktuarve në Amerikë ka qenë përafërsisht i krahasueshëm me Evropën Perëndimore – mirëpo, në përgjithësi, amerikanët mbesin më fetarë, me shkallë më të lartë të lutjeve ditore dhe të besimit në Zot, siç përshkruhet në Bibël.

Natalie Charles edhe në mesin e adoleshencës së saj ndihej e padëshiruar në kongregacionin e saj baptist, me pikëpamjet e saj konservatore mbi imigracionin, gjininë dhe seksualitetin. Kështu që vendosi ta braktiste.

“Thjesht nuk ndihem sikur ajo i përshtatej pikëpamjes sime se si është Zoti dhe çka mund të jetë”, ka thënë Charles, 18-vjeçare me origjinë haitiane, e cila identifikohet si pjesë e komunitetit queer e tash është studente e vitit të parë në Universitetin Princeton. “Nuk ishte mjedis shumë i dashur, a i kujdesshëm për besimin e dikujt”, ka shtuar ajo.

Tre vjet pasi ishte larguar nga kisha e New Jersey, ajo e identifikoi veten si ateiste, pasat agnostike, përpara se të përqafonte një jetë shpirtërore, por jo fetare. Në konviktin e saj ajo përzien ritualet në një altar, duke kënduar mantra budiste, taoiste dhe hindu, duke iu bërë homazhe paraardhësve të saj teksa mediton dhe lutet.

Të papërcaktuarit

Rruga që po ndjek Charles e vendos atë në mesin e atyre që nuk kanë lidhje fetare – grupi me rritjen më të shpejtë se sondazhet që pyesin amerikanët për identitetin e tyre fetar. Ata e përshkruajnë veten si ateistë, agnostikë ose “asgjë në veçanti”.

Edhe Kur dëshira për më shumë fëmijë përplaset me realitetin ekonomik Botë Kur dëshira për më shumë fëmijë përplaset me realitetin ekonomik

Sipas një sondazhi të publikuar të martën nga qendra e studimit Pew, ky grup- zakonisht i njohur si “të papërcaktuar” – tani përbën 29% të të rriturve amerikanë. Kjo është nga 23% në vitin 2016 dhe 19% në 2011-ën.

“Nëse të papërcaktuarit do të ishte religjion, do të ishin grupi fetar më i madh në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Elizabeth Drescher, profesoreshë ndihmëse në Universitetin Santa Clara, e cila shkroi një libër për jetën shpirtërore të të papërcaktuarve.

“Të papërcaktuarit fetarë dikur ishin të përqendruar në zonat urbane, bregdetare, por tani jetojnë në mbarë SHBA-në, duke përfaqësuar një larmi moshash, etnish dhe prejardhjesh socio-ekonomike”, ka treguar Drescher.

Sipas një sondazhi të fundit nga Qendra e Associated Press – NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike, edhe në filozofitë e tyre personale, të papërcaktuarit e Amerikës ndryshojnë shumë. Për shembull, 30% thonë se ndiejnë njëfarë lidhje me Zotin ose me një fuqi më të lartë, kurse 19% thonë që feja ka njëfarë rëndësie për ata edhe pse nuk kanë përkatësi fetare.

Rreth 12% e përshkruajnë vetën si religjiozë dhe të lidhur shpirtërisht, ndërsa 28% si të lidhur shpirtërisht, por jo religjiozë. Më shumë se gjysma thonë se nuk janë as te njëra as te tjetra.

Sipas sondazhit të AP-NORC, afërsisht 60% e të papërcaktuarve kanë thënë se religjioni ishte shumë i rëndësishëm për familjet e tyre teksa ata rriteshin. Është gjetur se 30% e të papërcaktuarve meditojnë, kurse 26% luten privatisht të paktën disa herë në muaj, derisa një numër shumë më i vogël konsultohet herë pas here më një udhëheqës fetar ose shpirtëror.

“Ka njerëz që me të vërtetë praktikojnë ose në një traditë të caktuar besimi që ne do ta njihnim ose në tradita të ndryshme besimi”, ka sqaruar Drescher. “Ata nuk janë të interesuar as për anëtarësimin formal në këto komunitete, as në identifikimin si dikush nga ky religjion”.

Image

Trajtimi i njerëzve

Gjatë viteve të fundit mbizotërimi i të papërcaktuarve në Amerikë ka qenë përafërsisht i krahasueshëm me Evropën Perëndimore – mirëpo, në përgjithësi, amerikanët mbesin më fetarë, me shkallë më të lartë të lutjeve ditore dhe të besimit ne Zot, siç përshkruhet në Bibël. Bazuar në sondazhin e vitit 2018 nga Pew, rreth dy të tretat e krishterëve të Amerikës luteshin çdo ditë, krahasuar me 6% në Britani dhe 9% në Gjermani.

Nga sondazhi i ri i Pew, rritja e të papërcaktuarve në Amerikë ka ardhur kryesisht në kurriz të popullsisë protestante. Në të thuhet se 40% e të rriturve amerikanë janë tash protestantë, nga 50% një dekadë më parë.

Në mesin e ish-protestantëve është Shianda Simmons, 36-vjeçare, nga Lakeland, në Florida, e cila nisi të identifikohet si ateiste në vitin 2013.

Ajo u rrit si baptiste dhe shkonte rregullisht në kishë; ka thënë se u largua më së shumti për shkak të trajtimit të pabarabartë të grave nga kisha.

Jo të gjithë nga familja e saj e dinë se ajo e ka braktisur fenë, e disa që e dinë e kanë problem ta pranojnë këtë, ka treguar Simmons.

“Janë disa njerëz që nuk mund t’ju tregoj se jam ateiste”, ka shpjeguar ajo. “Kjo më ka bërë të largohem nga familja ime”.

Po në të njëjtën mënyrë, në dyqanin e bukurisë që e zotëron ajo, ndihet sikur duhet ta mbajë ateizmin e saj “ të mbështjellë” nga klientët, prej frikës se do të shkojnë diku tjetër.

Sikurse Simmons, Mandisa Thomas është një ateiste me ngjyrë – një identitet që mund të jetë sfidues në shumë komunitete afro-amerikane, ku kishat janë një forcë e fuqishme. Thomas kishte kënduar në korin e kishës gjatë fëmijërisë së saj, ani pse nuk ishte rritur si e krishterë.

Edhe Brenda mendjes së një narcisti Botë Brenda mendjes së një narcisti

“Brenda komunitetit me ngjyrë, ne përballemi me ostracizëm”, ka treguar Thomas, e cila jeton pranë Atlantës dhe ku themeloi një grup mbështetës Black Nonbelievers, në vitin 2011. “Ekziston njëfarë ideje që po e refuzoni ngjyrën tuaj kur e refuzoni fenë, sikur ateizmi është diçka që vetëm njerëzit e bardhë e bëjnë”.

E kaluara religjioze

Një tjetër aktivist i të papërcaktuarve është Kevin Bolling, i cili u rrit në një familje ushtarake dhe kishte shërbyer si djalë altari katolik romak. Në kolegj ai filloi ta vinte në dyshim rolin e kishës dhe u trondit për pozicionin e saj ndaj seksualitetit kur ai doli si homoseksual.

Tani ai është drejtor ekzekutiv i Aleancës Laike Studentorem, e cila ka më shumë se 200 degë në kolegje dhe shkolla mbarë vendin. Kapitujt, ka thënë ai, shërbejnë si strehë për studentët laikë ose për ata që vënë në dyshim besimin e tyre.

“Mendoj se ky brez mund të jetë brezi i parë që do të jetë shumicë jofetare kundrejt asaj fetare”, ka thënë ai.

Të qenit katolike ishte gjithashtu pjesë e madhe e edukimit të Ashley Taylor - ajo u bë një shërbyese altari në moshën 9-vjeçare. Tani, 30 vjeç, ajo e identifikon veten si pa përkatësi fetare.

“Thjesht do të thotë të gjesh kuptimin, madje ndoshta edhe shpirtërisht pa e praktikuar një religjion...duke shkuar drejt asaj çka ka kuptim për mua ose çfarëdo që përshtatet me vlerat e mia”, ka theksuar ajo.

Besimi i kishte dhënë forcë kur ajo kishte kancer në moshën 11-vjeçare, ka treguar ajo, mirëpo ajo thotë se ndihet se të rriturit si katolike ka ndikuar negativisht në zhvillimin e saj emocional dhe seksual dhe kjo e vonoi atë të dalë si queer.

Në fund, Taylor formoi Sunday Assembly, e cila i dha asaj një komunitet të ngjashëm si kongregacion, mirëpo në mënyrë laike, duke i ofruar aktivitete të ndryshme si këndimi dhe klube librash. Ajo tani është presidente e bordit në Sunday Assembly në Pittsburgh.

“Ata nuk po përpiqen të të tregojnë se çka është e vërtetë”, ka thënë Taylor. “Ka gjithmonë një lloj kurioziteti, pyetjeje dhe hapjeje”.

Për disa të papërcaktuar, sikurse 70-vjeçari Zayne Marston nga Shelburne, Massachusetts, udhëtimi i tyre shpirtëror vazhdon të evoluojë gjatë dekadave.

I rritur pranë Bostonit, Marston ndoqi një kishe kongregacioni me familjen e rij – ai mban mend mësimin e Biblës, vallet e sponsorizuara nga kisha, kruarjen nga pantallonat e tij fanellë, teksa ndiqte shërbimet e së dielës.

Gjatë shkollë së mesme dhe kolegjit, ai “u arratis” nga besimet krishtere dhe në të 30-at e tij ai filloi një udhëtim serioz dhe afatgjatë shpirtëror, teksa ishte në rehabilitim për të frenuar alkoolizmin e tij.

“Spiritualizmi është një udhëtim i bazuar në shpirt, drejt zemrës, duke i dorëzuar vullnetin e egos së dikujt një vullneti më të lartë”, ka thënë ai. “Në po i kërkojmë përgjigjet tona, përtej programeve që i morëm teksa rriteshim”.

Rruga e tij ka qenë e vështirë nganjëherë - vdekja e gruas se tij nga përhapja e shpejtë e kancerit, problemet financiare që çuan në humbjen e shtëpisë së tij -mirëpo ai ka thënë se praktika e tij shpirtërore i ka zëvendësuar ankthet tij me një “lumturi qetësuese” dhe më një dëshirë për t’i ndihmuar të tjerët.

Më parë, ai kishte punuar si projektues pamjesh dhe vlerësues i pasurive të patundshme, e tani drejton një shkollë që mëson qigong, një praktikë që evoluoi nga Kina, duke u kombinuar me lëvizjet e ngadalta e qetësuese, me ushtrime të frymëmarrjes dhe meditim.

Edhe Mbi 2,8 milionë njerëz identifikohen si transgjinorë në SHBA, thotë hulumtimi Botë Mbi 2,8 milionë njerëz identifikohen si transgjinorë në SHBA, thotë hulumtimi

“Si fëmijë, Zotin e mendoja të ulur në një fron, më mjekër të bardhë, duke gjykuar, por tani kjo ka ndryshuar komplet”, ka treguar Marston. “Fuqia ime më e lartë është universi...Është gjithmonë aty për mua, nëse unë dal nga rruga e egos sime”.

Përktheu: Blerta Haxhiu