Botë

Çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe Kinën

Donald Trump

Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të riformësojë politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke premtuar ndryshime potencialisht radikale në fronte të shumta, ndërsa lufta dhe pasiguria pushtojnë pjesë të botës, shkruan BBC.

Gjatë fushatës, Trumpi bëri premtime të mëdha politike, shpesh pa detaje specifike, bazuar në parimet e mosndërhyrjes dhe proteksionizmit tregtar - ose siç e thotë ai “Amerika e para”.

Çka do të ndryshojë gjatë mandatit të ri të tij, bazuar nga premtimet në fushatë dhe historiku sa ishte president në mandatin e parë 2017 – 2021.

Rusia, Ukraina dhe NATO

Gjatë fushatës, Trumpi ka thënë vazhdimisht se mund t'i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës “brenda një dite”. Kur u pyet se si, ai deklaroi se do të ndodhte përmes një marrëveshjeje, por nuk ka pranuar të japë detaje.

Sipas një dokumenti të shkruar nga dy ish-shefat e sigurisë kombëtare të Trumpit thuhet se SHBA-ja do ta vazhdojë furnizimin me armë në Ukrainë, por ta kushtëzojë mbështetjen me hyrjen e Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë.

Për të joshur Rusinë, Perëndimi do ta vononte hyrjen e shumëkërkuar të Ukrainës në NATO. Ish-këshilltarët thanë se Ukraina nuk duhet të heqë dorë nga shpresat për të rikthyer të gjithë territorin nga pushtimi rus, por se duhet të negociojë bazuar në linjat aktuale të frontit.

Kundërshtarët demokratë të Trumpit, të cilët e akuzojnë për marrëdhënie të buta me presidentin rus Vladimir Putin, thonë se qasja e tij është dorëzim për Ukrainën dhe do të rrezikojë të gjithë Evropën.

Qasja e tij “Amerika e para” për t’i dhënë fund luftës shtrihet edhe në çështjen strategjike të së ardhmes së NATO-s, aleancës ushtarake transatlantike “të gjithë për një dhe një për të gjithë” e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, fillimisht si mburojë kundër Bashkimin Sovjetik.

NATO tani ka 32 anëtarë dhe Trumpi ka qenë prej kohësh skeptik ndaj aleancës.

Nëse ai në të vërtetë do ta tërhiqte SHBA-në nga NATO, gjë që do ta sinjalizonte ndryshimin më të madh në marrëdhëniet e mbrojtjes transatlantike në gati një shekull, mbetet për t’u diskutuar.

Disa nga të afërmit e Trumpit kanë thënë se linja e ashpër e republikanit është taktikë negociuese për t'i bërë anëtarët të përmbushin udhëzimet e aleancës për shpenzimet e mbrojtjes (2 për qind e Bruto Produktit Vendor).

Por realiteti është se anëtarët e NATO-s janë seriozisht të shqetësuar me fitoren e Trumpit dhe çka do të thotë ajo për të ardhmen e aleancës.

Lindja e Mesme

Ashtu si me Ukrainën, Trumpi ka premtuar të sjellë “paqe” në Lindjen e Mesme - duke lënë të kuptohet se do t’i jepte fund luftës Izrael-Hamas në Gaza dhe luftës Izrael-Hezbollah në Liban - por nuk ka treguar se si.

Ai ka thënë vazhdimisht se, nëse do të kishte qenë në pushtet ai dhe jo Joe Biden, Hamasi nuk do të kishte sulmuar Izraelin për shkak të politikës së tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit, i cili financon grupin.

Trumpi besohet se do ta vazhdojë politikën e ashpër ndaj Iranit. Në mandatin e parë, ai largoi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin, vendosi sanksione dhe vrau gjeneralin Qasem Soleimani – komandantin më të fuqishëm ushtarak iranian.

Sa ishte në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi miratoi politika të forta pro-izraelite, duke e emëruar Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe duke zhvendosur ambasadën e SHBA-së atje nga Tel Avivi.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti Trumpin “mikun më të mirë që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”.

Por kritikët argumentojnë se politika e tij kishte efekt destabilizues në rajon.

Palestinezët bojkotuan administratën Trump pas vendimit që Jerusalemi të ishte kryeqytet i Izraelit.

Ata u izoluan më tej kur Trumpi ndërmjetësoi të ashtuquajturën “Marrëveshje të Abrahamit”, e cila u cilësua si marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve arabe dhe myslimane. Ata e bënë këtë pa pasur nevojë që Izraeli të pranonte shtet të pavarur palestinez  - e ashtuquajtura zgjidhja me dy shtete. Më herët, vendet arabe e kishin kusht që Izraeli ta njihte Palestinën para se të nënshkruanin ndonjë marrëveshje rajonale.

Vendeve arabe që nënshkruan marrëveshjen me Izraelin iu dha qasje në armët e avancuara amerikane në këmbim të njohjes së Izraelit.

Trumpi bëri disa deklarata gjatë fushatës duke thënë se dëshiron që lufta në Gaza të përfundojë.

Ai ka pasur marrëdhënie komplekse, ndonjëherë jofunksionale me Netanyahun, por sigurisht që ka aftësinë për të ushtruar presion ndaj tij.

Ai gjithashtu ka histori të marrëdhënieve të forta me liderët në vendet kryesore arabe që kanë kontakte me Hamasin.

Është e paqartë se si Trumpi në njërën anë do të tregojë mbështetje për Izraelin, ndërkohë që do të përpiqet ta mbyllë luftën.

Aleatët e Trumpit shpesh e kanë portretizuar paparashikueshmërinë e tij si aset diplomatik, por në Lindjen e Mesme të paqëndrueshme, në mes të një krize tashmë me përmasa historike, nuk është e qartë se si do të ndodhte kjo.

Trump do të duhet të vendosë se si - ose nëse - do të çojë përpara procesin e ngecur diplomatik të nisur nga administrata Biden për armëpushim në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Kina dhe tregtia

Qasja e Amerikës ndaj Kinës është fusha më e rëndësishme strategjike e politikës së jashtme - dhe ajo që ka implikimet më të mëdha për sigurinë dhe tregtinë globale.

Kur ishte në detyrë, Trumpi e etiketoi Kinën “konkurrent strategjik” dhe vendosi tarifa për disa importe kineze në SHBA. Kjo shkaktoi kundërpërgjigje nga Pekini për importet amerikane.

Pati përpjekje për të shtensionuar mosmarrëveshjet tregtare, por pandemia COVID-19 e humbi këtë mundësi dhe marrëdhëniet u përkeqësuan pasi ish-presidenti e cilësoi Covidin “virus kinez”.

Ndërsa administrata Biden pretendoi të kishte qasje më të përgjegjshme ndaj politikës së Kinës - por mbajti shumë nga tarifat e kohës së Trumpit mbi importet.

Trumpi e ka lavdëruar presidentin kinez Xi Jinping si “të shkëlqyer” dhe “të rrezikshëm” dhe një udhëheqës shumë efektiv që kontrollon 1.4 miliardë njerëz me “grusht të hekurt” - pjesë e asaj që kundërshtarët e karakterizuan si admirim të Trumpit për “diktatorët”.

Ish-presidenti duket se do të largohet nga qasja e administratës Biden për ndërtimin e partneriteteve më të forta të sigurisë me vendet e tjera të rajonit në një përpjekje për të frenuar Kinën.

SHBA-ja ka vazhduar ndihmën ushtarake për Tajvanin e vetëqeverisur, të cilin Kina e sheh si provincë të shkëputur që përfundimisht do të jetë nën kontrollin e Pekinit.

Trumpi ka thënë në tetor se nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të duhej të përdorte forcën ushtarake për të parandaluar pushtimin e mundshëm të Tajvanit nga Kina. Ka paralajmëruar se do të vendoste tarifa paralizuese për importet kineze, nëse ndodh pushtimi i Tajvanit.

Lexo përditësimet tjera
trump

Trumpi zgjidhet president i SHBA-së