Maksym Butkevych ka rrëfyer për rrahjet, kërcënimet me ekzekutim dhe dhunën seksuale të përdorur me qëllimin që ai të rrëfehet përpara ushtarëve rusë. Ai e ka përshkruar procesin si të dalë nga libri i autorit Franz Kafka, që prej trillimeve të ashpra të shprehura si akuza e deri te “veçantia” e nënshkrimit të të gjitha dokumenteve ligjore. Është përvojë e ngjashme edhe për të burgosurit e tjerë në Rusi, ku 8,000 deri në 10,000 ukrainas besohet se po mbahen
Momentet e para në robërinë ruse për Maksym Butkevych u shoqëruan me poshtërime që do të zbeheshin në krahasim me atë që do të ndodhte pastaj.
I kapur në muajt e parë të luftës në Ukrainë në 2022-tën, Butkevych dhe ushtarët e tij – të cilët ishin futur në kurth përgjatë vijës lindore të frontit – fillimisht ishin rrahur dhe grabitur. “Kishte disa shkelma dhe grushte”, ka rikujtuar Butkevych, i cili kishte qenë aktivist për të drejtat e njeriut dhe gazetar, para se pushtimi rus ta shtynte atë të dilte vullnetar për ushtar.
“Ata vodhën orët dhe gjërat e tjera. Kur një ushtar më mori kufjet dhe më pyeti se të kujt ishin, pastaj m’u drejtua duke më thënë: ‘A do që të m’i bësh dhuratë?’ Edhe pse isha i gjunjëzuar me tytën e pushkës në kokën time, i thashë jo”.
Sidoqoftë, trajtimi do të bëhej akoma e më i errët në kuadër të modelit të ripërsëritur të rrahjeve, torturave, kërcënimit me ekzekutim dhe dhunës seksuale, që kishte për qëllim t’i detyronte të burgosurit të rrëfeheshin për krime imagjinare.
Dëshmia e Butkevychit shërben si zgjatim për një gamë të gjerë provash – rreth keqtrajtimit të Rusisë ndaj robërve ukrainas të luftës, përfshirë gjyqet politike, ekzekutimet dhe torturat.
Ajo të cilën e përjetoi Butkevychi ndodhi pavarësisht një fushate ndërkombëtare të profilit të lartë për të kërkuar trajtim të duhur ndaj tij dhe lirimin e sigurt, kur ishte e qartë se ai ishte kapur dhe po njollosej në mediat ruse dhe po kërcënohej me një gjyq të montuar.
Me duart dhe këmbët e lidhura, faza e radhës në udhëtimin e Butkevychit ishte në një objekt akoma në ndërtim jashtë Luhanskut, ku ai dhe një tjetër ushtar do të përballeshin me mizori nga më të ndryshmet, gjë e zakonshme gjatë robërisë së tyre.
“Ishte një oficer që sillej në mënyrë shumë të ndyrë, duke u munduar të na provokonte. Donte të tregonte se ishte më i zgjuar se ushtari mesatar”.
“Pyeste se kush është i martuar dhe ne po gjunjëzoheshim para tij. Pyeti se ku ndodheshin gratë e ushtarëve. Njëri u përgjigj ‘në Poloni’ dhe një tjetër tha ‘në Gjermani’. Filloi të fliste se çfarë gratë e tyre po bënin me jetën seksuale përmes detajeve të sëmura. Unë mendoja: ‘Ky oficer ka probleme të rënda’”.
Të nesërmen në mëngjes, Butkevychi dhe ushtarë të tjerë u sollën para një grupi komandantësh dhe propagandistësh, dhe iu tha se do të filmoheshin për të treguar se ishin kapur dhe po trajtoheshin mirë.
“Ata dukeshin të intriguar nga unë si oficeri i vetëm”, ka rikujtuar Butkevych. I paralajmëruar nga ushtarët rusë se do të ketë “pasoja” nëse ata kontrollonin në internet dhe zbulonin se ai kishte gënjyer mbi të kaluarën e tij, Butkevych deklaroi vullnetarisht se ishte gazetar dhe aktivist i të drejtave të njeriut.
Një bisedë pasoi teksa ushtarët rusë këmbëngulnin se invazioni duhet të karakterizohet si një “luftë”, dhe Butkevychi i kundërshtoi duke thënë se ishte i interesuar vetëm për koston njerëzore të asaj që po bënte Rusia.
“Ata ishin të befasuar që unë po mbroja qëndrimet e mia, pavarësisht se nuk po argumentoja”, ka shtuar Butkevych. Më djallëzore ishte ajo se çfarë ndodhi pastaj: kërcënimi i parë i drejtpërdrejtë se ata mund të vrisnin të burgosurit.
“Ata thanë: ‘Ju ndoshta mendoni se jeni të burgosur të luftës. Nuk jeni derisa të regjistroheni si të tillë. Për momentin, ju po mungoni në fushën e betejës. Nëse nuk silleni mirë, mund të ecim në oborrin e pasmë për të parë se si i kemi ekzekutuar të burgosurit që janë sjellë keq’”.
Rrahja e parë serioze kishte ndodhur vetëm disa orë më vonë.
“Propagandistët u larguan dhe disa orë më pas trupat ruse u kthyen së bashku me një ushtar të forcave speciale. Më thanë se duhej të thosha se doja që ushtari i forcave speciale të gjuante dhe të vriste ushtarët e mi në Ukrainë. U thashë: ‘Asgjë personale, mirëpo nuk mund ta them atë’.
“Më tutje na thanë se do të mësonim mbi historinë e Ukrainës”. Teksa oficeri i “ndyrë” recitonte fjalët e presidentit rus, Vladimir Putin, ushtarëve të tjerë po ashtu u tha të përsërisnin fjalët e njëjta. “Nëse ata flisnin gabim ose bënin ndonjë gabim, më rrihnin me një shkop druri”.
“Fillova ta humbi vetëdijen dhe dora më ishte fryrë. Thashë ‘Do të ma thyeni shpatullën’, dhe oficeri u përgjigj, ‘Jo, e di se çfarë jam duke bërë’. Në një pikë, ai ndaloi recitimin e fjalëve të cilat po i murmuriste, përderisa mund ta vëreja se ai po kënaqej fizikisht me procesin.
“Të tjerët u kthyen dhe filluan të më godisnin e të më grushtonin, ndërsa njëri nga ta nxori telefonin dhe na urdhëroi neve të thoshim: ‘Lavdi Rusisë’, dhe na u kërkua përsëri të flasim se si dëshironim që rusët të vrisnin ushtarët tanë. Pas kësaj, na urdhëruan të hynim në një kamion, ku edhe humba vetëdijen”.
Kur arritën në burgun e Luhanskut, ushtarëve iu dhanë dyshekë dhe peshqirë të vjetër dhe u thanë se ishin në një qendër paraburgimi.
“Kishte vetëm një rubinet në qeli për të pirë dhe për t’u larë, me ujë mjaft të ndotur. Pavarësisht se ushqeheshim nga tri herë në ditë, ushqimi ishte i tmerrshëm. Porcione shumë të vogla. Shumë shpejt filluam ta ndiejmë urinë tek na kaplonte”.
Është përvojë e ngjashme për të burgosurit në Rusi, ku 8,000 deri në 10,000 ukrainas besohet se po mbahen. Ata që po rikthehen në atdhe përmes marrëveshjeve të këmbimit, duket sheshazi se kanë humbur peshë.
Në Luhansk, marrja në pyetje filloi me zell. “Ata morën në pyetje gjithsecilin prej neve”, ka thënë Butkevych. “Në javët e para përqendrimi ishte në informacionet ushtarake, por ne nuk i tregonim. Pastaj ata synuan të na thyejnë moralin”.
Ai ka thënë se të burgosurit u çuan në atë që pretendojnë se ishte Ministria e Sigurisë Shtetërore e Republikës Popullore të Luhanskut, ku disa ushtarë u torturuan me goditje elektrike nga telat që shkonin deri në dinamon e një sistemi telefonik.
“Quhet tapik. Ata e përdorin në ushtarë të tjerë, por mua thjesht më kërcënuan”. Me kalimin e kohës, Butkevych ka thënë se u bë i vetëdijshëm se ata që po e merrnin në pyetje ishin më shumë të interesuar në prapavijën e tij si aktivist i të drejtave të njeriut dhe periudhën trevjeçare të qëndrimit në Britaninë e Madhe.
“Pastaj – më kujtohet sepse ishte ditëlindja ime – u mora në pyetje nga dy persona. Isha takuar më herët me ta”, ka vazhduar ai. “Ata po e përdornin taktikën e policit të mirë, policit të keq”. Ai u detyrua të jepte një intervistë për një “organizatë mediatike ndërkombëtare” [se cila organizatë nuk dihet] për të folur rreth Ukrainës “si një vend nazist” dhe u pyet në lidhje me financimin që kishte marrë nga Fondacioni Soros për OJQ-në e tij. Çuditërisht, që të dy e paralajmëruan po ashtu se mund ta dënonin si “kriminel lufte”.
Butkevych ka thënë më tutje se pasoi një valë e re torturash dhe kërcënimesh, duke përfshirë periudha që e vendosnin në pozicione të stresit dhe rrahjet me shkop gome. Atij i ishte thënë përsëri se mund të vritej, teksa ishte kërcënuar me përdhunim. Torturuesit i ofruan atij tri opsione: të nënshkruante një rrëfim që pranonte se kishte kryer krime lufte dhe të “këmbehej shumë shpejt”; do të çohej në vendin e “krimit” të supozuar, ku do të qëllohej teksa përpiqej të arratisej; ose do të futej në një qeli me të burgosur që do t’ia bënin jetën një “ferr të vërtetë”.
Ai e nënshkroi rrëfimin. “Nuk e dija se as çfarë po rrëfeja për disa ditë me radhë derisa më dërguan te një ekspert psikiatrik, i cili më pyeti nëse e kuptoja se për çfarë akuzohesha”, ka thënë ai, duke mësuar më vonë se kishte rrëfyer se kishte shënjestruar dy gra civile në një fshat që nuk e kishte vizituar kurrë.
“Pastaj u dënova me 13 vjet në një koloni penale me regjim të rreptë”, ka vazhduar ai.
Ai e ka përshkruar procesin si të dalë nga libri i autorit Franz Kafka, që prej trillimeve të ashpra brenda akuzave e deri te “veçantia” e nënshkrimit të të gjitha dokumenteve ligjore, përfshirë edhe nga një avokat i cili dëshmoi në mënyrë të rreme se kishte qenë i pranishëm gjatë marrjes në pyetje. “E kuptova se ajo që ndodhi në rastin tim ishte se trupat ruse kishin bombarduar rëndë një fshat. Kur më në fund e morën nën kontroll, gjetën civilë të plagosur nga vetë të shtënat e tyre dhe fajësuan të burgosurit ukrainas të luftës”.
“Është skenar fitore-fitore për rusët. Ata e shmangin përgjegjësinë teksa i akuzojnë ‘kriminelët ukrainas të luftës’”.
Në koloninë penale të Luhanskut të okupuar, ai u detyrua të punonte ose të rrihej ndërsa një proces i rremë ligjor vazhdonte në sfond. “Më dërguan në Luhansk për gjykatën e apelit dhe gjykatën e lartë”, ka thënë Butkevychi. Atëherë e zbulova se kisha një avokat në Moskë. Një avokat të vërtetë për të drejtat e njeriut. I thashë se u detyrova të rrëfehesha nën tortura të vazhdueshme. Avokati më tha se kishte prova që unë ndodhesha në Kiev për ditën e krimit të supozuar. Gjykatës nuk i interesonte fare kjo”.
Më 17 tetor të vitit 2024 – pas më shumë se dy vjetësh në robëri – atij i kishin thënë të paketonte gjërat. Nuk e dinte se ku po shkonte dhe nuk guxonte të shpresonte se do të lirohej. Të çuar në një aeroport aty pranë ku ishin mbledhur të burgosurit e tjerë të luftës, ata u shkëmbyen me të burgosur rusë të mbajtur në Ukrainë.
“Nuk mendoj se e kam vlerësuar para robërisë sime se sa shumë sistemi penal rus pasqyron vlerat dhe metodat e botës ruse”, ka thënë ai. “Nuk bën përjashtim. Nëse ‘sillesh mirë’, mund të trajtohesh si duhet, por duhet të bindesh. Nuk ka liri të veprimit. Edhe gardianët thoshin të njëjtën gjë për jetët e tyre si civilë”.
“Kjo është një ide mjaft e mirë për atë që Rusia dëshiron të sjellë në Ukrainë”.