Gjykatësit e Apelit të OKB-së të mërkurën kanë dënuar ish-liderin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, me burgim të përjetshëm për gjenocid, transmeton Koha.net.
Gjykatësit e apelit ia kanë konfirmuar dënimin Karaxhiqit për gjenocid në masakrën e Srebrenicës më 1995 gjatë Luftës së Bosnjës dhe thanë se dënimi me 40 vjet burgim i dhënë nga gjykatësit e procedurës paraprake ishte shumë i lehtë duke e pasur parasysh rëndesën e krimeve të tij dhe peshën e përgjegjësisë së tij, raporton Reuters.
Në mars të vitit 2016, Karaxhiqi është shpallur fajtor për dhjetë akuza që lidhen me mizoritë e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 1992-95 dhe është dënuar me 40 vjet burgim.
Ai është dënuar për gjenocid, lidhur me rolin e tij në Masakrën e Srebrenicës, ku rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë. Kjo ngjarje konsiderohet si masakra më e rëndë në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore.
Lufta në Bosnje mori jetën e mbi 100 mijë personave dhe rreth 2.2 milionë të tjerë, u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në apelin e tyre, prokurorët po ashtu kishin kërkuar që të anulohet vendimi për lirimin e Karaxhiqit nga akuza e dytë për gjenocid që lidhet me sulmet dhe qëllimin për të shkatërruar popullsinë myslimane dhe kroate në pjesë të tjera të Bosnjës dhe ai të shpallet fajtor për këtë akuzë.
Karaxhiqi, së bashku me ekipin e tij ligjor, po ashtu kishin dërguar në Gjykatën e Apelit dënimin e tij prej 40 vjetësh burgim. Karaxhiqi kishte kërkuar rigjykim apo lirim nga akuzat.