Botë

Britanikët alarmohen për sheqerkat me përbërës ilegalë

karamele

Në Mbretërinë e Bashkuar agjencitë e sigurisë ushqimore po paralajmërojnë publikun për sheqerkat e paligjshme të Halloweenit. Ëmbëlsirat e importuara amerikane janë sekuestruar në disa lokacione, sepse ato përfshijnë përbërës të ndaluar që kanë qenë të lidhur me hiperaktivitetin dhe rreziqe të tjera shëndetësore.

Shpërndarja e ëmbëlsirave është traditë e Natës së Shtrigave - por britanikët janë ftuar të kenë kujdes nga disa prej tyre.

Mijëra produkte amerikane të importuara përmbajnë përbërës që janë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Për Liv Newman, që është influencere në rrjete sociale dhe që njihet për ëmbëlsirat, kjo paraqet situatë të frikshme.

“Është çmenduri kur e mendon se sa shumë fëmijëve u pëlqen kjo puna e marrjes së karameleve për Halloween. Është edhe e frikshme kur e mendon se mund të ketë sheqerka që përmbajnë përbërës të paligjshëm”.

Për autoritetet britanike, është betejë e vështirë për të ndaluar hyrjen e produkteve në treg.

Ekspertët thonë se konsumatorët duhet t’i kontrollojnë produktet për të dhëna, për origjinën e tyre përpara se t'i blejnë ato.

Shumë nga ëmbëlsirat e ndaluara janë të lidhura me hiperaktivitetin.

Problem të tillë paraqesin edhe ushqimet, pijet dhe drithërat amerikane.

Bëhet fjalë për rregullore të ndryshme në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Por kushdo që tashmë ka ngrënë ëmbëlsira me këta përbërës, nuk ka nevojë të krijojë panik.

“Ato mund të përmbajnë aditivë që ose nuk lejohen fare në Britani, ose janë të lejuar, por në nivele shumë më të ulëta. Dhe kështu përsëri nuk ka një rrezik në përdorim të vogël, por në afat të gjatë, nëse vazhdoni t'i konsumoni këto, mund të jetë një rrezik për shëndetin, pasi përfshin gjëra të tilla si kimikate të mundshme që shkaktojnë kancer”,  shpjegon profesori Robin May nga Agjencia e Standardeve të Ushqimit.