Kryeministri britanik Rishi Sunak premtoi të shtunën se do të sigurojë tanke dhe sisteme artilerie për Ukrainën, në mes të sulmeve të reja me raketa nga Moska që synojnë kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera.
Zyra e Sunakut në Downing Street tha në një deklaratë se ai u zotua të sigurojë tanke Challenger 2 dhe sisteme të tjera artilerie pasi foli me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të shtunën, raportoi Associated Press.
Zyra nuk bëri të ditur se kur do të dorëzoheshin tanket apo se sa.
Mediat britanike kanë raportuar se katër tanke kryesore luftarake të ushtrisë britanike Challenger 2 do të dërgohen menjëherë në Evropën Lindore, me tetë të tjerë që do të pasojnë menjëherë pas, pa cituar burime.
Zelensky në një postim në Tëitter të shtunën falënderoi Sunakun "për vendimet që jo vetëm do të na forcojnë në fushën e betejës, por gjithashtu do të dërgojnë sinjalin e duhur për partnerët e tjerë".
Ukraina ka kërkuar për muaj të tërë të furnizohet me tanke më të rënda, duke përfshirë tanket amerikane Abrams dhe tanket gjermane Leopard 2.