Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britania aprovon vaksinën njëdozëshe “Johnson & Johnson”

Vaksina anti-COVID njëdozëshe “Johnson&Johnson”, e zhvilluar në Belgjikë, është aprovuar për përdorim në Britania e Madhe nga rregullatori i ilaçeve.

Vaksina ishte 85% efektive në ndalimin e sëmundjes së rëndë nga COVID-19 në prova dhe ka përmbushur standardet e pritshme të sigurisë.

20 milionë doza janë porositur për Britaninë dhe do të mbërrijnë gjatë këtij viti.

Do të jetë vaksina e katërt që do të përdoret në Britani për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

Më shumë se 38 milionë njerëz tani kanë marrë dozën e parë të një vaksine në Britani - gati tre të katërtat e popullsisë së rritur.

Vaksina mund t'u jepet njerëzve të moshës mbi 18 vjeç dhe ka të ngjarë të përdoret si një goditje përforcuese për punëtorët shëndetësorë përpara dimrit, sepse mund të ruhet dhe transportohet lehtësisht në temperaturat e frigoriferit.

Vaksina me një dozë të vetme tashmë është autorizuar nga Agjencia Evropiane e Barnave, Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Vaksina e prodhuar nga kompania ‘’Janssen’’ përdor të njëjtën teknologji si ajo e Oxford-AstraZeneca dhe ka të ngjarë të jetë më e përshtatshme për të moshuarit sesa të rinjtë.

SHBA-ja, Afrika e Jugut dhe Bashkimi Evropian ndaluan përdorimin e vaksinës “Johnson&Johnson” pas raporteve të mpiksjes së gjakut në një numër shumë të vogël njerëzish pasi morën dozën. Por SHBA-ja arriti në përfundim se përfitimet e përdorimit të saj ishin më të mëdha se çdo rrezik.

Tani është duke u testuar si pjesë e një studimi në Britani për të zbuluar nëse një dozë e tretë mund të mbrojë nga variante të reja.

Artikuj të ngjashëm