Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britani: Konservatorët humbin popullaritetin, rriten laburistët

Laburistët britanikë pritet të bëhen partia e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por jo me një numër të mjaftueshëm për shumicë të pavarur, sipas një projeksioni të Sky News bazuar në zgjedhjet lokale që u mbajtën sot.

Një projeksion i Sky News vlerëson se konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak do të merrnin midis 28 dhe 30 për qind të votave dhe laburistët midis 36 dhe 38 për qind. Skocia, Irlanda e Veriut dhe shumica e Uellsit nuk votuan në zgjedhjet lokale të kësaj jave që përbëjnë bazën e këtij projeksioni.

Rezultatet e plota për më shumë se gjashtë mijë funksione të këshillit në Angli nuk janë publikuar ende. BBC raporton se rezultatet e disponueshme deri më tani tregojnë se Laburistët dhe Liberal Demokratë po bëjnë përparim në kurriz të konservatorëve.

Mediat britanike i quajtën zgjedhjet lokale testin e parë të popullaritetit të Sunakut që kur ai mori detyrën pas mandatit të shkurtër të Liz Trussit dhe largimit të Boris Johnsonit. Konservatorët kanë humbur deri tani kontrollin e 26 këshillave.

Data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Britaninë e Madhe ende nuk është caktuar, por mandati i parlamentarëve zgjat pesë vjet nga seanca e parë, thuhet në faqen e qeverisë britanike.

Parlamenti u mblodh për herë të parë nën qeverisjen e konservatorëve më 17 dhjetor 2019, që do të thotë se mandati do të përfundojë më 17 dhjetor 2024, nëse nuk shpërndahet nga mbreti më herët. Zgjedhjet duhet të mbahen më pak se 25 ditë pas kësaj.