Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Brexit-i shtyhet deri më 31 tetor

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.

Pas samitit në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, njoftoi në orët e para të së enjtes se May është pajtuar me kushtet e BE-së për shtyrje.

Tusk e përshkroi marrëveshjen si “shtyrje fleksibile”, duke thënë se ajo nënkupton “gjashtë muaj shtesë për Mbretërinë e Bashkuar, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”.

“Ju lutem, mos humbni kohë”, tha Tusk.

Konkluzionet e samitit të BE-së thonë se Britania “duhet të përmbahet nga çdo masë që i rrezikon projektet kyçe të BE-së”.

Ky kusht thuhet se synon të parandalojë Britaninë nga ushtrimi i fuqisë së vetos mbi iniciativat në Bruksel, gjatë periudhës shtesë për Brexit-in.

Udhëheqësit e BE-së planifikojnë të takohen sërish në qershor për të vlerësuar situatën.

Edhe Bashkimi Evropian pranon shtyrjen marrëveshjes së Brexitit Botë Bashkimi Evropian pranon shtyrjen marrëveshjes së Brexitit

Britania mund të largohet nga BE-ja para 31 tetorit, nëse May arrin të bindë shumicën në Parlamentin britanik që të mbështesë marrëveshjen për Brexit që ajo ka negociuar me BE-në, vitin e kaluar.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se Brexit-i pa marrëveshje do të ishte "një katastrofë totale" dhe se Brukseli do të bëjë gjithçka të mundur për të shmangur skenarin pa marrëveshje.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë