Anglia, Franca, Irlanda, Holanda dhe disa shtete skandinave gradualisht kanë hequr masat. Në disa shtete si Norvegjia dhe Danimarka, lehtësimi ka nisur të bëhet ani pse numri i të infektuarve është ende i lartë. Disa qeveri janë të mendimit se pandemia është duke u dobësuar.
Ahengje deri në orët e vona nëpër klubet e natës. Krah për krah në ulëset e kinemasë. Dalja pa maskë, sidomos në Evropë dhe në Amerikën Veriore: Hap pas hapi, shumë shtete kanë nisur të lehtësojnë masat kundër Covid-19 me shpresën se vala e Omicronit ka kaluar pikun.
Heqja e hershme e masave, bazuar në numrin e rasteve në ditët e fundit, përfaqëson atë që quhet “pikë kthese” në betejën dyvjeçare kundër pandemisë.
Varianti shumë përhapës i Omicronit ka ngritur rastet në 10 javët e fundit- mbi 90 milionë, shifër që nuk ishte konfirmuar gjatë krejt vitit 2020, përhapjes së parë të koronavirusit.
Mirëpo Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë kësaj jave ka bërë të ditur se disa shtete mund të heqin masat nëse kanë shifër të lartë të të vaksinuarve, nëse kanë sistemet e forta shëndetësore dhe trendi epidemiologjik po shkon në drejtimin e duhur.
Në javët e fundit, Evropa ishte më e izoluara ashtu si Afrika e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Britani numri i rasteve u rrit ndjeshëm, por tani janë ulur shumë shpejt.
Në Shtetet e Bashkuara, liderët lokalë kanë nisur të veprojnë. Qyteti i Denverit bëri të ditur planet për t’i dhënë fund mbajtjes së maskës në hapësirat publike, por ato mund të barten nëpër shkolla dhe transport publik.
Anglia, Franca, Irlanda, Holanda dhe disa shtete skandinave gradualisht kanë hequr masat. Në disa shtete si Norvegjia dhe Danimarka, lehtësimi ka nisur të bëhet ani pse numri i të infektuarve është ende i lartë. Disa qeveri janë të mendimit se pandemia është duke u dobësuar.
Gjatë javës së kaluar, Anglia u dha fund pothuajse të gjitha masave. Maskat nuk kërkohen në publik, ndërkaq certifikatat e vaksinës nuk janë të nevojshme për tubimet publike. Është hequr edhe kërkesa për punë nga shtëpia. Mirëpo ende ekziston një kusht: Të infektuarit duhet të izolohen.
Të martën, Norvegjia hoqi ndalesën e shërbimit të alkoolit pas orës 23:00 dhe kushtin për kufizimin e tubimeve deri në 10 persona. Njerëzit mund të ulen afër njëri-tjetrit nëpër tubime sportive, ashtu siç bënin para pandemisë.
“Tani është koha të kthejmë jetën tonë të përditshme”, ka thënë ministrja norvegjeze e Shëndetësisë, Ingvild Kjerkol. “Sonte hoqëm të gjitha masat me qëllim që ne të jemi afër jetës normale”.
Më shumë se 370 milionë raste dhe 5.6 milion vdekje nga COVID-19 janë raportuar deri më tani në të gjithë botën.
Zbehja e Omicronit në shumë shtete ka ofruar shpresë se përhapja ka hyrë në fazën e re, në të cilën virusi mund të bëhet si gripi: i pranishëm gjithmonë, por i kontrollueshëm dhe se njerëzit mund të jetojnë me të.
Derisa Omicroni ka dalë të jetë më i dobët sesa varianti Delta, ekspertët kanë tërhequr vërejtjen se nënvlerësimi mund të kushtojë dhe se mund të shpërthejë ndonjë variant më i rrezikshëm i koronavirusit.