Ish-këshilltari për Siguri Shtetërore i presidentit Trump, John Bolton, është kërcënuar me padi, nëse komitetet e Kongresit lëshojnë thirrje zyrtare për ta detyruar të dëshmojë në hetimet e tyre për shkarkimin e të parit të SHBA-së, ka bërë të ditur të enjten një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve.
Boltonit i është kërkuar të paraqitet për të dëshmuar të enjten, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Avokati i tij kishte thënë qysh më parë se ai nuk do të dëshmonte vullnetarisht.
“Këshilltari i tij na ka informuar se për dallim prej tre shërbyesve të tjerë të përkushtuar civilë, që kanë punuar me të në Këshillin Kombëtar të Sigurisë (NSC) dhe të cilët i kanë përfillur thirrjet zyrtare për dëshmi, Boltoni do të na dërgonte në gjykatë po t’i dërgonim një thirrje të tillë”, ka thënë një zyrtar i komitetit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Disa orë pas dështimit të Boltonit për t’u paraqitur për dëshmi, gazeta amerikane “Washington Post” ka raportuar se ai do të ishte i gatshëm të dëshmonte në rast se një gjykatë federale e mbështet ftesën e Kongresit, për ta detyruar atë të japë dëshminë.
Zyra e Boltonit dhe avokati i tij nuk i janë përgjigjur kërkesës për koment.
Çështja nëse Kongresi e ka të drejtën që t’iu bëjë ftesë për dëshmi zyrtarëve të afërt me presidentin ka ndezur debat në kuadër të hetimeve për shkarkim.
Edhe
Paditet ish-këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, John Bolton
Trumpi dhe shumë republikanë në Kongres kanë mohuar keqbërjen dhe e kanë hedhur poshtë hetimin, duke e quajtur “ndjekje shtrigash” e ndërmarrë prej një partie, që synon të sprapsë fitoren e beftë zgjedhore të 2016-s të magnatit të patundshmërive.
Ata kanë udhëzuar zyrtarët e administratës që të mos bashkëpunojnë, duke nxitur Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punë të Jashtme, atë për Mbikëqyrje dhe atë të Inteligjencës që të lëshojnë thirrje zyrtare, për ta detyruar dëshmimin e tyre.
Demokratët kanë thënë se janë duke e ushtruar të drejtën e tyre, në pajtim me Kushtetutën amerikane, për hetimin e keqbërjes potenciale prej një presidenti.