Kompania për prodhimin e aeroplanëve Boeing, ka njoftuar se 3 mijë punëtorë do të vendosen në pozita të ndryshme pas ndalimit të prodhimit të modelit 737 Max.
Prodhuesi amerikan njoftimin e ka bërë përmes një e-maili të brendshëm që ia ka dërguar stafit, transmeton KTV. 3 mijë punëtorët kryesisht kanë punuar në fabrikën e Seattle dhe shumica prej tyre ishin të angazhuar në prodhimin e modelit problematik 737 Max.
Ky model ndaloi fluturimet gjatë vitit 2019 kur dy aeroplanë të tillë u rrëzuan në Indonezi dhe Etiopi, duke lënë të vdekur 346 persona.
Në dhjetorin e vitit 2019, kompania vendosi që përkohësisht të ndalte prodhimin e aeroplanëve, por rregullatorët amerikan ia pamundësuan kthimin e tij në pistë deri në vitin 2020 dhe ka mbetur e paqartë se kur do të certifikohet përsëri modeli 737 Max.