Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Blogeri rus vret veten pasi kritikohet se zbuloi humbjet e mëdha të Rusisë nga lufta

Andrey Morozov, një bloger rus pro-luftës, thuhet se ka bërë vetëvrasje pas kritikave për një postim në të cilin ai pretendonte se ushtria ruse humbi 16,000 ushtarë gjatë marrjes së qytetit të Ukrainës, Avdiivka.

Morozov, i cili në Telegram njihej me pseudonimin Murz, ishte një komentator ultra-nacionalist që luftoi përkrah separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore në vitin 2014 dhe mori pjesë në luftën e Rusisë më 2022.

Të dielën, Morozov u shkroi 120,000 ndjekësve të tij në Telegram se Rusia humbi 16,000 personel gjatë marrjes së Avdiivkas. Postimi tërhoqi kritika të rënda nga propagandistët rusë, të cilët akuzuan blogerin për "shpifje ndaj Ministrisë ruse të Mbrojtjes", raportoi Guardian. 

Në mesazhin e fundit të tij, ai lajmëroi vetëvrasjen dhe tha se ishte nën presion nga eprorët e tij që ta fshijë postimin me detajet mbi numrin e të vrarëve.

Rusia fsheh humbjet që pëson nga lufta dhe numri i të vrarëve të saj gjatë pushtimit të Ukrainës mbetet sekret, megjithëse zyrtarët perëndimorë besojnë se lufta i ka kushtuar Rusisë me mbi 315,000 të vdekur e të lënduar.