Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, ka paralajmëruar se Kina po mendon ta furnizojë me armë Rusinë për luftën në Ukrainë.
Blinken për “CBS News” ka thënë se kompanitë kineze po ofrojnë tashmë “përkrahje jovrasëse” për Rusinë – dhe informacionet e reja sugjerojnë se Pekini mund të ofrojë edhe armë për Rusinë.
Ai ka paralajmëruar se kjo “do të kishte pasoja serioze për Kinën”.
Kina ka mohuar raportimet se Moska i ka kërkuar pajisje ushtarake.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, është aleat i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe ai ende nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës.
Edhe
Blinken nga Kina: Shpreha shqetësimin për mbështetjen që i jepet Rusisë
Por, Xi ka vendosur të mbetet neutral dhe ka bërë thirrje për paqe.
Blinken ka folur për “CBS” pasi është takuar me diplomatin e lartë kinez Wang Yi, të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Munich.
Ai ka thënë se gjatë takimit ka shprehur “shqetësimin e thellë, për mundësinë që Kina t’i ofrojë Rusisë përkrahje me materiale vdekjeprurëse”.
“Ne shohim tashmë kompanitë kineze duke ofruar përkrahje jovrasëse për Rusinë për përdorim në Ukrainë. Shqetësimi që kemi tash, që është i bazuar në informacionet që i kemi, është se ata po mendojnë të ofrojnë përkrahje me materiale vdekjeprurëse”, ka thënë Blinken.
Edhe
Stoltenberg: Kemi parë shenja se Kina po shqyrton furnizimin me armë për Rusinë
Ai nuk ka treguar se ku i ka marrë informatat për planet e Kinës. Por, ka thënë se Kina mund t’i ofrojë Rusisë armë dhe armatim.
Blinken ka thënë se nëse Kina i ofron Rusisë ndihmë me armë, atëherë “do të kishte probleme serioze për marrëdhëniet tona”.