Botë

Blinken: Kina ka përkeqësuar pandeminë me fshehjen e të dhënave mbi virusin

Mossuksesi i Kinës për t’u siguruar qasje ekspertëve globalë shëndetësorë në të dhëna e ka bërë pandeminë e koronavirusit edhe më të rëndë sesa që do të duhej të ishte, ka thënë të hënën sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në akuzën e tij të drejtpërdrejtë ndaj Pekinit zyrtar, Blinken ka theksuar se shteti aziatik përveçqë nuk u ka siguruar qasje ekspertëve ndërkombëtarë, ai as që ka shkëmbyer informata në kohë reale për të garantuar transparencë të përnjëmendtë.

Si rrjedhojë, virusi ka dalë prej kontrollit më shpejt dhe me ndikim shumë më të ashpër sesa që do të kishte.

Duke folur për “NBC News”, sekretari amerikan ka bërë të ditur se zhvillime të tilla e sinjalizojnë nevojën për një sistem më të fortë global të mbrojtjes shëndetësore.

Ai ka kërkuar me këtë rast reforma të gjithmbarshme, që përfshijnë rritjen e transparencës, shkëmbimin e informatave dhe qasjen e ekspertëve në të dhëna.