Botë

Blinken i bën thirrje Lavrovit që të gjejë zgjidhje diplomatike me Ukrainën

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken është takuar me homologun e tij rs Sergey Lavrov të enjten, për ta paralajmëruar sy më sy për “pasojat serioze” me të cilat përballet Rusia nëse e pushton Ukrainën. Po ashtu i ka bërë thirrje atij për të gjetur mënyrë diplomatike për të dalur nga kjo krizë, raporton agjencia Reuters.

Blinken e ka paralajmëruar Lavrovin në takim në Stockholm të Suedisë, një ditë pasi deklaroi se Washingtoni është i gatshëm të reagojë ashpër, përfshirë aplikimin e sanksioneve të rënda.

“Mënyra më e mirë për ta evituar krizën është nëpërmjet diplomacisë dhe këtë po shikoj para ta bisedojë me Sergein”, ka thënë Blinkeni për gazetarët para bisedës me Lavrovin.

Ai ka thënë se Rusia dhe Ukraina duhet të implementojnë plotësisht obligimet e marra nën procesin e paqes në Minsk në vitin 2014, që ishte dizajnuar për t’i dhënë fund luftës me separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase.

Washingtoni është i gatshëm të ndërmjetësojë, ka thënë Blinken, por “nëse Rusia vendos të vazhdojë me konfrontimin, atëherë do të ketë pasoja serioze”.

Lavrov i ka thënë gazetarëve në Moskë se është i gatshëm për dialog me Kievin.

“Ne, siç ka thënë presidenti Vladimir Putin, nuk duam konflikte”, tha Lavrov.

Kiev po thotë se Rusia ka vendosur afro 90 mijë trupa në afërsi të kufirit. Moska akuzon Kievin po ashtu se po bën përgatitje ushtarake. Rusia ka mohuar se po planifikon sulmin ndaj Ukrainës dhe ka thënë se është e drejtë e saja për të vendosur trupat në territor të vetin.

Por, Putin po ashtu ka thënë se Rusia mund të detyrohet të veprojë nëse NATO vendos raketat në Ukrainë që mund të godasin Moskën brenda pak minutave.

Kremlini të enjten ka thënë se një konflikt i ri në lindje të Ukrainës është shumë i mundur dhe se Moska është e shqetësuar nga retorika agresive e Kievit.


Lavrov paralajmëron për një konfrontim ushtarak të mundshëm

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka paralajmëruar se Evropa mund të kthehet në atë që e ka quajtur “makth i konfrontimit luftarak”.

Në konferencën për siguri në Suedi, Lavrov ka përmendur idenë për një pakt të ri evropian të sigurisë për të tentuar të ndalet zgjerimi i NATO-s më tepër në lindje.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka paralajmëruar “pasoja serioze” nëse Rusia vendos për konflikt me Ukrainën.

Takimi ka ardhur ndërsa Rusia ka shtuar prezencën ushtarake në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Ukraina thotë se Rusia ka mbledhur më tepër se 90 mijë trupa atje.

Moska mohon se po përgatit sulm ndaj Ukrainës dhe ka akuzuar Kievin për përgatitje ushtarake.

Ndërsa tensionet po rriten, Rusia të enjten ka arrestuar tre të dyshuar si agjentë ukrainas të sigurisë.

Një nga tre të akuzuarit po planifikonte sulm terrorist, ndërsa dy të tjerë po merrnin informata, është thënë nga Zyra Federale e Rusisë për Siguri.

Blinken është takuar me Lavorvin në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE).

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se dy palët janë pajtuar për të vazhduar dialogun me Ukrainën.

Por, Lavrov më herët në fjalim tha se NATO po refuzon të konsiderojë në mënyrë konstruktive propozime për deeskalim të tensioneve dhe për të parandaluar incidentet e rrezikshme.

“Infrastruktura ushtarake e Aleancës në mënyrë të papërgjegjshme i është afro kufirit rus me Rumaninë dhe Poloninë, duke vendosur sistem anti-raketor të mbrojtjes. Po ashtu raketat amerikane me rreze të mesme veprimi janë afër të paraqiten në Evropë, duke e rikthyer skenarin e makthin të një konfrontimi ushtarak”, ka thënë Lavrov.