Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Blinken anulon takimin me Lavrovin

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka njoftuar se ka anuluar takimin me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, takim ky i paraparë të mbahet të enjten.

Blinken ka thënë se pas ngjarjeve të 24 orëve të fundit më nuk ka kuptim të mbahet ky takim dhe se e ka njoftuar Lavrovin për këtë.

“Tash që po shohim se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka nisur, dhe Rusia ka bërë të qartë refuzimin e diplomacisë, nuk ka kuptim të shkohet para me këtë takim”, ka thënë Blinken në konferencë për media pas takimit me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Blinken i sheh shqetësuese deklarimet e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Putin me deklaratat e tij sot ia ka bërë të qartë botës se si e sheh Ukrainën, jo si shtet të pavarur, por si krijim të Rusisë”, ka thënë Blinken.

Ai ka thënë se Putin me veprimet e tij ka shkelur një mori të marrëveshjes ndërkombëtare.

Ai ka shtuar se Evropa është në rrezikun më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore.

Blinken ka shtuar se Putin me veprimet e tij e ka bërë të qartë se kurrë nuk e kishte problemin te mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Ai ka thënë se Putin me sjelljet e tij po do ta rikrijojë Perandorinë Ruse, apo të krijojë sferën e ndikimit.

“Çështja e Ukrainës në NATO ishte thjeshtë pretekst për të maskuar faktin që ka të bëjë me vetë pikëpamjen e Putinit për Ukrainën, që nuk e sheh atë si shtet të pavarur”, ka thënë Blinken.

Artikuj të ngjashëm