Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bisedimet Maqedoni – Greqi, ka përparime, por mbeten ende tema të vështira

Ohër, 12 prill – Janë arritur përparime për një pjesë të çështjeve, të cilat tashmë janë tejkaluar, ndërsa për një pjesë ende ekzistojnë dallime, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Nikolla Dimitrov pas takimit të sotëm në Ohër me homologun e tij grek, Nikos Kotzias.

Dimitrov tha se kanë pasur bisedime të hapura dhe të sinqerta dhe se për herë të parë është biseduar edhe për hapat se si do të zbatohet marrëveshja e mundshme.

“Biseduam pa i shitur mend njëri-tjetrit dhe duke kuptuar nevojat e tjetrit për atë se si t’i lëmë mënjanë shqetësimet kryesore të dy palëve”, tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë.

Ai me këtë rast tha se në të njëjtën kohë është realizuar takim i grupeve të punës të dy ministrive, në nivel të diplomatëve të lartë, të cilat në bazë të përparimit të bisedimeve në Vjenë, do të harmonizojnë tekstin për bashkëpunimin e ardhshëm në fusha të ndryshme.

Kotzias, nga ana e tij, konfirmoi se është përparim edhe në nivel të ministrave dhe në nivel të grupeve të punës.

“Ka përparime. Mbeten më pak tema për zgjidhje, por ato janë më të vështirat. Sot bëmë hap pozitiv dhe shpresojmë se do të bëjmë të tjera që problemet e vështira të bëhen më të lehta. Përpiqemi të zgjidhim probleme të shkaktuara nga e kaluara dhe nga të tjerët”, tha Kotzias.