Në orët e para të së dielës kanë hyrë negociatat direkte në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Iranit në Pakistan, në përpjekje për të arritur paqe në Lindjen e Mesme. Nuk ka pasur njoftime zyrtare për rezultatet brenda diskutimeve deri në mesnatë, sipas kohës lokale në Pakistan. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet pika “kyçe” e bisedimeve, teksa SHBA-ja ka njoftuar se po punon për çminim të saj. Në anën tjetër, Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban përkundër kërkesës direkte nga Irani që kjo të ndalet Këtu lexoni të rejat nga zhvillimet rreth bisedimeve për ndaljen e luftës në Iran
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNegociata historike direkte për paqe në Lindjen e Mesme
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë nisur të shtunën negociata historike ballë për ballë në Pakistan, pak ditë pas shpalljes së armëpushimit dyjavor, pasi lufta ka marrë jetën e mijëra njerëzve dhe ka shkundur tregjet botërore në 7 javë.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar natyrën direkte të bisedimeve, diçka shumë e rrallë për nivelin e lartë. Siç kanë konfirmuar zyrtarët, bisedimet kanë vijuar edhe pse kanë kaluar rreth 6 orë prej nisjes.
Ndërkohë, Ushtria amerikane ka bërë të ditur se dy anije të saj kanë kaluar në Ngushticën e Hormuzit para punës së deminimit. Ishte hera e parë që anije të tilla kaluan që nga nisja e luftës. Ndërkaq media shtetërore iraniane më herët kishte thënë se Irani e ka detyruar një anije amerikane luftarake që të kthehej prapa.
Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance, dhe ai iranian i udhëhequr nga kryeparlamentari Mohammad Baghar Qalibaf, kanë diskutuar me Pakistanin se si mund të avancojnë armëpushimin tashmë të kërcënuar nga mospajtime të thella dhe sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në Liban. Në këtë shtet, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se kanë vdekur më shumë se 2000 persona nga sulmet izraelite.
Që nga Revolucioni Islamik në Iran më 1979, kontakti më direkt ishte ai më 2013 kur presidenti Barack Obama e telefonoi të sapozgjedhurin president të Iranit, Hassan Rouhani, për të diskutuar për programin nuklear të Iranit. Takimet e nivelit më të lartë deri tash ishin ato mes sekretarit të Shtetit, John Kerry, dhe homologut Mohammad Javad Zarif atë kohë për negocimin mbi programin bërthamor.
Tani bisedimet janë zhvilluar në mes të Vanceit, person që ka pak përvojë diplomatike, dhe që ka paralajmëruar Iranin të “mos përpiqet të luajë” dhe Qalibaf, ish-komandant i Gardës Revolucionare të Iranit dhe që ka pasur disa prej deklaratave më të ashpra qëkur nisën luftimet.
Vijat e kuqe të Iranit
Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran ka thënë se bisedimet trepalëshe kanë nisur pasi parakushtet e Iranit, përfshirë për reduktim të sulmeve të Izraelit në Libanin jugor, janë përmbushur.
Delegacioni i Iranit i ka thënë televizionit shtetëror se ka prezantuar vijat e kuqe në takimin me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, përfshirë kërkesën për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga sulmet amerikano-izraelite që nisën luftën më 28 shkurt dhe lëshimin e aseteve të ngrira të Iranit.
Lufta ka marrë jetën e të paktën 3000 personave në Iran, 2020 në Liban, 23 në Izrael dhe dhjetëra të tjerëve në shtetet e Gjirit Arab, dhe ka shkaktuar dëme serioze në infrastrukturën në gjysmën e shteteve të Lindjes së Mesme. Mbajtja nën kontroll e Ngushticës së Hormuzit nga Irani e ka shkëputur kryesisht Gjirin Persik dhe eksportet e tij të naftës dhe gazit nga ekonomia globale, duke rritur çmimet e energjisë.
Duke reflektuar mbi rreziqet e larta, zyrtarët nga rajoni kanë thënë se në Islamabad ka pasur edhe zyrtarë kinezë, sauditë e të Katarit për të lehtësuar indirekt bisedimet. Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti për çështjet delikate.
Ndërkaq në Teheran, banorët i kanë thënë “Associated Press” se janë skeptikë, por kanë shpresë pas javëve të tëra me sulme ajrore që sollën shkatërrim gjithandej shtetit me rreth 93 milionë banorë.
“Vetëm paqja nuk mjafton për shtetin tonë sepse jemi goditur shumë. Ka kosto të mëdha”, ka thënë 62-vjeçari Amir Razzai Far.
Në reagimin më të ashpër deri tash, Papa Leoni XIV të shtunën ka kritikuar “iluzionin e plotfuqishmërisë” që po nxit luftën e SHBA-së dhe të Izraelit në Iran. Ai u ka kërkuar liderëve politikë të ndalen dhe të negociojnë për paqe.
Gjatë lutjes të shtunën, Papa nuk ka përmendur presidentin e SHBA-së apo direkt SHBA-në në lutje. Por ai ka pasur porosi direkte për ta, dhe lavdet që ia kanë thurur vetes për superioritetin ushtarak amerikan.
“Mjaft më me adhurimin e vetvetes dhe të parasë. Mjaft më me shfaqjen e fuqisë. Mjaft me luftëra”, ka thënë Papa.

Çminimi i Ngushticës së Hormuzit
Para se të nisnin bisedimet, presidenti amerikan Donald Trump e ka akuzuar Iranin se po e përdor Ngushticën e Hormuzit për zhvatje dhe u ka thënë gazetarëve se ajo “do të hapet, me ose pa ta”.
Mbyllja e kësaj ngushtice nga Irani ka dëshmuar avantazhin e tij më të madh strategjik në luftë. Rreth një e pesta e naftës që tregtohet në nivel bote kalon nga kjo ngushticë, apo rreth 100 anije në ditë. Vetëm 12 janë regjistruar tek kalojnë që nga armëpushimi.
Të shtunën, Trumpi në një postim në rrjete sociale ka thënë se SHBA-ja ka nisur “pastrimin” e ngushticës.
“Sot ne kemi nisur procesin e krijimit të një kalimi të ri dhe së shpejti do ta ndajmë këtë rrugë të sigurt me industrinë detare”, u tha në njoftimin e admiralit Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së. “Forca të tjera amerikane, përfshirë dronët nënujorë, do t’u bashkohen përpjekjeve të pastrimit në ditët në vijim”.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se Teherani po hyn në negociata “me mosbesim të thellë” pas sulmeve mbi Iran gjatë ditës së bisedimeve. Araghchi, pjesë e delegacionit iranian në Pakistan, ka thënë po ashtu se vendi i tij ishte i gatshëm të hakmerrej nëse sulmohet sërish.
Një propozim me 10 pika nga Irani, para bisedimeve të së shtunës, bënte thirrje për përfundim të garantuar të luftës dhe kërkonte kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit. Ky plan përfshinte ndaljen e luftimeve kundër “aleatëve rajonalë” të Iranit, duke bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ajrore ndaj Hezbollahut.
Ndërkaq plani 15 pikësh, i propozuar nga SHBA-ja, bënte thirrje për ndaljen e programit nuklear të Iranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Mst: Izraeli e Libani do të kenë biseda direkte
Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar me sulme ndaj Libanit duke thënë se aty nuk ka hapësirë për armëpushim. Irani e Pakistani nuk janë pajtuar. Agjencia shtetërore e lajmeve libaneze ka raportuar për të paktën tre të vdekur.
Negociatat midis Izraelit dhe Libanit pritet të nisin të martën në Washington, ka bërë të ditur zyra e presidentit libanez, Joseph Aoun të premten, pasi Izraeli befasoi duke autorizuar bisedimet edhe pse s’kanë marrëdhënie zyrtare mes vete.
Por, teksa mijëra njerëz në Liban protestonin kundër negociatave të planifikuara, kryeministri Nawaf Salam ka thënë se e ka shtyrë një udhëtim të planifikuar në Washington “në dritën e rrethanave aktuale të brendshme”. Nuk ishte bërë e qartë se çka nënkuptonte kjo për bisedimet.
Izraeli dëshiron që Qeveria e Libanit të marrë përgjegjësinë për çarmatosjen e Hezbollahut, ashtu siç ishte parashikuar në armëpushimin e nëntorit 2024. Por është e paqartë nëse ushtria e Libanit mund të konfiskojë armë nga grupi militant, i cili ka mbijetuar përpjekjet për të kufizuar forcën e tij për dekada të tëra.
Hezbollahu iu bashkua luftës në mbështetje të Iranit në ditët e para. Izraeli iu përgjigj me sulme ajrore dhe një pushtim tokësor.
Ditën që u njoftua marrëveshja e armëpushimit me Iranin, Izraeli e sulmoi Bejrutin me sulme ajrore, duke vrarë më shumë se 300 njerëz në ditën më vdekjeprurëse në Liban që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.
Mesnatë në Islamabad, bisedime më shumë se gjashtë orë
Në orët e para të së dielës kanë hyrë negociatat direkte në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Iranit në Pakistan, në përpjekje për të arritur paqe në Lindjen e Mesme.
Ende nuk ka njoftime zyrtare për rezultatet brenda diskutimeve deri
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet pika “kyçe” e bisedimeve, teksa SHBA-ja ka njoftuar se po punon për deminim të saj. Në anën tjetër, Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban përkundër kërkesës direkte nga Irani që kjo të ndalet.
Ngushtica e Hormuzit, pika më serioze e mospajtimit në negociata
Çështja e Ngushticës së Hormuzit mbetet pika kryesore e “mospajtimeve” në bisedimet mes delegacioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Iranit në Islamabad, ka raportuar agjencia e lajmeve në Iran “Tasnim”.
Aty është thënë se negociatat po vazhdojnë pavarësisht atyre që i ka cilësuar si “kërkesa të tepërta të Amerikës”, ndërsa ka theksuar se Irani po insiston të ruajë fitimet e veta ushtarake.
Më herët SHBA-ja bëri të ditur se dy anije luftarake të saj kanë kaluar në ngushticë për të krijuar terren për deminim.
Papa reagon ashpër për luftën në Iran: Mjaft më me adhurimin e vetvetes dhe parasë
Në reagimin më të ashpër deri tash, Papa Leoni XIV të shtunën ka kritikuar “iluzionin e plotfuqishmërisë” që po nxit luftën e SHBA-së dhe të Izraelit në Iran. Ai u ka kërkuar liderëve politikë të ndalen dhe të negociojnë për paqe.
Gjatë lutjes të shtunën, në të njëjtën ditë kur po mbahen diskutimet SHBA-Iran në Pakistan, Papa nuk ka përmendur presidentin e SHBA-së apo direkt SHBA-në në lutje. Por ai ka pasur porosi direkte për ta, dhe lavdet që ia kanë thurur vetes për superioritetin ushtarak amerikan.
“Mjaft më me adhurimin e vetvetes dhe të parasë. Mjaft më me shfaqjen e fuqisë. Mjaft me luftëra”, ka thënë Papa.
Dy anije ushtarake amerikane hyjnë në Ngushticën e Hormuzit
Ushtria amerikane ka bërë të ditur se dy anije të saj ushtarake kanë kaluar në Ngushticën e Hormuzit dhe kanë operuar në Gji.
Dërgimi i këtyre anijeve nëpërmjet kanalit ishte me qëllim “për vënien e kushteve për pastrim nga minat”, sipas Komandës qendrore amerikane.
Irani më herët e kishte paralajmëruar SHBA-në se do t’ia godasë anijet po që se tentojnë të kalojnë nëpër ngushticë.
Irani: Bisedimet hyjnë në fazën e nivelit të ekspertëve
Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në fazën e diskutimeve të nivelit të ekspertëve, në të cilën do të takohen komitete të specializuara për çështje ekonomike, ushtarake, ligjore e nukleare, ka bërë të ditur Qeveria e Iranit.
Negociatat po vazhdojnë për “të finalizuar detajet teknike”, sipas postimit në X.
Nis raundi i dytë i bisedimeve
Zyrtarët amerikanë dhe iranianë kanë nisur edhe raundin e dytë të bisedimeve të shtunën në mbrëmje në Islamabad, pas një pauze të shkurtër, kanë bërë të ditur dy zyrtarë pakistanezë.
Sipas deklaratës së tyre për “Associated Press”, palët shfrytëzuan pauzat për të diskutuar me ekspertët teknikë.
Këta zyrtarë po ashtu kanë thënë se lidershipi pakistanez po i shtyn palët që të shmangin dallimet dhe të sigurojnë paqen e se bisedimet po ecin mirë.
Zyrtarët s’kanë dhënë detaje të tjera, duke shpresuar se do të ketë zgjidhje “win-win” (fitore për dy palët).
Bisedimet SHBA-Iran pritet të zgjasin edhe disa orë
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zgjasin deri vonë në mbrëmje në Pakistan, e ka gjasa që të hyjnë edhe në ditën e diel, ka bërë të ditur një burim nga Pakistani për CNN-in.
Ora në Pakistan është 21:25 (në Kosovë 18:25).
Sipas burimit të CNN-it, në takimin mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë ndërmjetës janë kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe shefi i Ushtrisë, Asim Munir.
Trump: Ngushtica e Hormuzit do të hapet së shpejti
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka postuar sërish në “Truth Social” teksa delegacionet e nivelit të lartë SHBA-Iran po vazhdojnë bisedimet për paqe në Islamabad.
Ai ka përsëritur se SHBA-ja ka shkatërruar ushtrinë e Iranit, përfshirë forcën ajrore dhe detare.
Trump ka thënë se është i bindur që “Ngushtica e Hormuzit do të hapet së shpejti”.
Nën marrëveshjen për armëpushim dyjavor me Iranin, Trumpi pati thënë se është pajtuar të pezullojë bombardimet po që se Teherani pajtohet ta rihapë ngushticën. Teherani e pati mbyllur këtë ngushticë të rëndësishme pasi SHBA-ja dhe Izraeli e sulmuan më 28 shkurt. Ngushtica shërben si kanal për 20 për qind të naftës botërore.
Ndërkaq i pyetur nga “NewsNation” në një intervistë telefonike, Trumpi ka thënë se nuk e ka idenë se si po ecin bisedimet.
Bisedimet e së shtunës, takim i rrallë SHBA-Iran
Bisedimet që përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Iranit po i mbajnë në Pakistan, me qëllim për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, janë ngjarje e rrallë e takimeve mes lidershipeve të të dyja vendeve.
Që nga Revolucioni Islamik më 1979, kontakti direkt i nivelit më të lartë ishte kur më 2013, ish-presidenti Barack Obama e pati me presidentin e sapozgjedhur iranian Hassan Rouhani për programin nuklear të Iranit.
Përgjegjësia e zëvendëspresidentit JD Vance është e madhe për një zyrtar amerikan, që më herët nuk ka pasur shumë përvojë diplomatike. Emisarët që i janë bashkuar atij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, po ashtu konsiderohen figura të reja në diplomacinë ndërkombëtare.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka dërguar “ekipe të plota ekspertësh për çështje të caktuara” në Islamabad. Po ashtu ka thënë se ekspertë të tjerë po u ndihmojnë nga Washingtoni.
Takimi SHBA-Iran “po ecën mirë”
Një zyrtar pakistanez ka konfirmuar për “Associated Press” se negociatat mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit “po ecin mirë”.
Ai ka thënë se “nuk mund të tregojë nëse palët janë të ulura në një dhomë apo dhoma të ndara, por se bisedimet kanë nisur dhe po përparojnë”.
Takimi trepalësh po zhvillohet mes zyrtarëve amerikanë JD Vance, Steve Witkoff dhe Jared Kusher, ndërsa Iranin e përfaqësojnë Mohammad Ghalibaf dhe Abbas Araghchi. Takimi po ndërmjetësohet nga zyrtarë pakistanezë.
Nisin bisedimet Iran-SHBA në Pakistan
Kanë nisur bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së në Islamabad, sipas medias iraniane IRIB, përcjell CNN. Mbetet e paqartë nëse bisedimet po zhvillohen drejtpërdrejt mes palëve apo përmes ndërmjetësuesve.
Nëse bisedimet do të jenë të drejtpërdrejta, ato do të ishin negociatat më të lartë sy më sy mes Iranit dhe SHBA-së që nga viti 1979.
Diskutimet vinë mes një armëpushimi të brishte, me të dyja palët që mbeten të konfirmojnë pikat e diskutimit.
Irani zbulon vijat e kuqe
Propozimet dhe vijat e kuqe të Iranit i janë përcjellë kryeministrit të Pakistanit, njoftoi televizioni shtetëror iranian.
Sipas mediave iraniane, vijat e kuqe të Teheranit përfshijnë Ngushticën e Hormuzit, pagesën e dëmshpërblimeve të luftës, lirimin e aseteve të bllokuara të Iranit dhe një armëpushim në të gjithë rajonin.
"Ne do të negociojmë me gishtin në këmbëz", tha zëdhënësja e qeverisë iraniane Fatemeh Mohajerani për televizionin shtetëror.
"Ndërsa jemi të hapur për bisedime, jemi gjithashtu plotësisht të vetëdijshëm për mungesën e besimit; prandaj, ekipi diplomatik i Iranit po hyn në këtë proces me kujdes maksimal".
Trump: Një numër masiv cisternash bosh po shkojnë drejt SHBA-së për t'u ngarkuar me naftë
Presidenti amerikan Donald Trump ka postuar në rrjetin e tij Truth Social, duke thënë se një numër "masiv" cisternash bosh po shkojnë drejt SHBA-së për t'u ngarkuar me naftë dhe gaz.
“Një numër masiv cisternash nafte plotësisht bosh, disa nga më të mëdhenjtë kudo në botë, po shkojnë, tani, drejt Shteteve të Bashkuara për t'u ngarkuar me naftën (dhe gazin!) më të mirë dhe 'më të ëmbël' kudo në botë. Ne kemi më shumë naftë se dy ekonomitë e ardhshme më të mëdha të naftës së bashku - dhe cilësi më të lartë. Po ju presim. Ndryshim i shpejtë!”
Nuk është plotësisht e qartë nëse ky mesazh është i lidhur me kontrollin e vazhdueshëm të Iranit dhe mbylljen efektive të Ngushticës së Hormuzit.
Delegacioni iranian vendos në aeroplan fotografitë e fëmijëve që u vranë në shkollë
Udhëheqësi i delegacionit iranian i bëri homazhe disa prej viktimave më të hershme dhe më të reja të luftës, ndërsa hipte në fluturimin e tij për në Pakistan.
Kryetari i Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf ndau një fotografi nga një aeroplan, ku fotografitë e katër fëmijëve të vrarë në një sulm ndaj një shkolle iraniane ishin vendosur në një rresht me ulëse.
Çantat e përgjakura dhe nga një trëndafil i bardhë ishin vendosur po ashtu poshtë fotografive.
Qalibaf shkroi përkrah imazhit: "Shokët e mi në këtë fluturim".
Të paktën 168 persona, shumica fëmijë, ishin vrarë nga sulmi mbi shkollën Minab, në Iran, në ditën e parë të luftës.

Delegacioni i Iranit në Pakistan përbëhet nga 71 persona
Delegacioni i Iranit në Islamabad përbëhet nga 71 persona, përfshirë negociatorë, ekspertë, përfaqësues të medias dhe sigurisë, raportoi të shtunën media shtetërore Tasnim.
Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetari i parlamentit të Iranit, po kryeson delegacionin, i cili përfshin edhe ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi.
Sipas mediave iraniane të cituara nga CNN, përbërja e delegacionit të tillë vjen duke pasur parasysh kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e lartë të negociatave midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Propozimi prej 15 pikash i administratës Trump, i cili nuk është zbuluar plotësisht, thuhet se përfshin angazhimin e Iranit për të mos pasur armë bërthamore, dorëzimin e uraniumit të tij të pasuruar shumë, kufizimet në aftësitë mbrojtëse të Teheranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Delegacioni amerikan udhëhiqet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump.
Delegacioni amerikan dhe ai iranian në takime të ndara me kryeministrin e Pakistanit
Dy delegacionet, ai i SHBA-së dhe i Iranit, kanë takuar dhe kanë zhvilluar bisedime të ndara me kryeministrin e Pakistanit.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance po zhvillon bisedime me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif. Delegacioni amerikan përfshin gjithashtu të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Po ashtu, Guardian raportoi se edhe negociatorët iranianë janë takuar me kryeministrin e Pakistanit në Islamabad. Delegacioni iranian i udhëhequr nga kryetari i parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf dhe ministri i jashtëm Abbas Araghchi ka zhvilluar bisedime me Sharifin.
Zyrtarët nga rajoni thanë të shtunën se zyrtarët egjiptianë, sauditë, kinezë dhe ata nga Katari ndodhen në Islamabad për të lehtësuar në mënyrë indirekte bisedimet.
Raportohet se SHBA-ja ra dakord për lirimin e aseteve të ngrira të Iranit, Washingtoni e mohon
Një burim i lartë iranian i ka thënë Reutersit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord të lirojnë asetet e ngrira të Iranit të mbajtura në Katar. Por Shtëpia e Bardhë më vonë i është përgjigjur këtij pretendimi, duke mohuar se SHBA-ja ka bërë ndonjë marrëveshje të tillë.
Burimi i tha Reutersit se zhbllokimi i aseteve është "i lidhur drejtpërdrejt me sigurimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit".
Ndërkohë, raportohet se zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance është takuar me kryeministrin e Pakistanit Shehbaz Sharif. Në takim ishte edhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff si dhe dhëndri i presidentit amerikan Jared Kushner.
Ministri iranian shpreh “mosbesim të thellë” në SHBA-në
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se Irani futet në bisedime me SHBA-në me “mosbesim të thellë” për shkak të dy sulmeve që shteti i tij pësoi në mes të negociatave mbi programin bërthamor.
Zyra e Araghchit shkroi se Iran i do të luftojë nëse sulmohet, raportoi AP.
Po ashtu bëri thirrje që Izraeli të ndalë sulmet në Liban.
Kurse, zëvendëspresidenti i Iranit, Mohammad Reza Aref, ka thënë se bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Iranit mund të prodhojnë një marrëveshje nëse Washingtoni punon për të përmbushur interesat amerikane në vijë me doktrinën e presidentit Donald Trump “Amerika e Para”.
Aref ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje “nëse përballemi me përfaqësues të ‘Izraeli i pari’”.
Ai paralajmëroi se “bota do të përballet me pasoja më të mëdha” nëse bisedimet dështojnë dhe SHBA-ja e Izraeli i rikthehen luftës.
Më shumë njerëz u vranë në Liban në ditët e para të armëpushimit të Iranit, sesa më 2024
Ditët e para të armëpushimit të brishtë midis SHBA-së dhe Iranit kanë rezultuar jashtëzakonisht vdekjeprurëse për Libanin, me qindra njerëz të vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë të paktën 357 të mërkurën.
Irani ka thënë se sulmet shkelin armëpushimin, i cili pretendon se përfshinte edhe Libanin. Pakistani, i cili ndërmjetësoi armëpushimin, theksoi gjithashtu se Libani ishte i përfshirë - por Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara thonë se Libani nuk ishte pjesë e marrëveshjes.
Presidenti libanez Joseph Aoun ka thënë të premten se 13 anëtarë të forcave të sigurisë së vendit të tij u vranë në qytetin jugor Nabatieh në atë që u përshkrua nga autoritetet lokale si "sulmi më i madh izraelit (atje) që nga fillimi i luftës".
Të mërkurën, vetëm disa orë pasi armëpushimi u njoftua për herë të parë, Izraeli nisi një valë masive sulmesh që vranë më shumë se 300 njerëz, përfshirë të paktën 30 fëmijë, dhe plagosën më shumë se 1,223, sipas autoriteteve libaneze. Kjo shënoi ditën më vdekjeprurëse të Libanit që nga shtatori 2024.
Numri i viktimave është rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit dhe Ministria e Shëndetësisë e Libanit paralajmëroi të premten se ka të ngjarë të rritet edhe më tej, raportoi CNN.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit pranuan se kishin goditur "në zemër të popullsisë civile", por pretenduan se kishin vrarë të paktën 180 "terroristë të Hezbollahut" dhe kishin ndërmarrë hapa për të zbutur dëmin ndaj civilëve.
Izraeli vazhdoi të sulmonte Libanin të premten, edhe pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump i tha NBC News në një intervistë të enjten se i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të ishte "pak më i përmbajtur" në operacionet në Liban.
Planet bërthamore dhe Ngushtica e Hormuzit – në çka do të fokusohen bisedimet
Nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, bisedimet e paqes do të fillojnë të shtunën, 11 prill, mes Iranit dhe SHBA-së në Pakistan.
Ekzistojnë shumë pengesa për t’u kapërcyer nëse këto negociata do të jenë të suksesshme, shkruan SkyNews.
Delegacioni i Iranit ka prezantuar një propozim 10-pikësh. Sipas tij, ky propozim përfshin tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni, kontrollin iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, kompensimin e dëmeve ndaj Iranit, heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira iraniane, përkushtimin e Iranit për të mos krijuar armë bërthamore, pranimin e të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit, marrëveshjen për traktate të paqes së Iranit me shtetet rajonale, pushimin e armiqësive ndaj secilit grup në rajon, si dhe përfshin dispozitat e mbështetura nga rezoluta e OKB-së.
Ky ishte vetëm ajo që Irani tha se ishte propozimi i tij. Megjithatë, Izraeli ka prezantuar një propozim tjetër që pretendon se është ai që e ka pranuar nga Irani.
Në planin e paraqitur nga Izraeli përfshihet shkatërrimi i kapaciteteve bërthamore të Iranit, përkushtimi i Iranit që kurrë të mos krijojë armë bërthamore, ndalimin e pasurimit të uraniumit, i gjithë materiali i pasuruar duhet të dorëzohet, objektet bërthamore ekzistuese duhet të shkatërrohen, Irani do të tërhiqet nga modeli i mbështetjes së grupeve militante në rajon, Irani të ndalojë financimin e grupeve, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur, Irani do të kufizojë numrin e raketave, raketat do t’i përdorë vetëm për vetëmbrojtje, sanksionet mbi Iranin do të hiqen, Irani do të zhvillojë program civil të energjisë bërthamore, etj.
Në planet e paraqitura nëpër media dallimi ekziston te pika ku Irani kërkon pasurimin e uraniumit, ndërsa SHBA-ja e ka hequr nga lista edhe si mundësi një gjë të tillë.
Bisedimet e kaluara janë fokusuar në programin bërthamor dhe raketor të Iranit, por kjo është lënë në hije tash për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Ministrat e Pakistanit presin delegacionin amerikan
Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance të dërguarin special të presidentit amerikan Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, kanë arritur në Islamabad në mëngjes, ku u pritën nga shefi i ushtrisë së Pakistanit, Feldmarshal Asim Munir, ministri i Jashtëm Ishaq Dar dhe ministri i Brendshëm Mohsin Naqvi.
Dar ka thënë se shpreson që SHBA-ja dhe Irani do të angazhohen "në mënyrë konstruktive" në bisedimet e paqes sot.
Dar përsëriti gjithashtu se Islamabadi dëshiron të vazhdojë të lehtësojë bisedimet në mes palëve për të arritur një "zgjidhje të qëndrueshme në konflikt".
Udhëheqës të lartë amerikanë dhe iranianë ndodhen në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, për negociata për t'i dhënë fund luftës së tyre gjashtëjavore.
Delegacioni iranian, i udhëhequr nga kryetari i Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, mbërriti të premten.
Këto do të jenë bisedimet e nivelit më të lartë SHBA-Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe negociatat e para zyrtare ballë për ballë midis dy palëve që nga viti 2015, kur ata arritën një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit.