Presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, ka thënë se Kievi do të dërgojë një delegacion për bisedime “pa parakushte” me Moskën në kufirin ndërmjet Ukrainës dhe Bjellorusisë. Ujdia për takim është arritur pas bisedës telefonike të Zelenskyt me homologun bjellorus, Aleksander Lukashenko.
Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, ka aktivizuar nivelin e lartë të alarmit të forcave bërthamore të Rusisë. Putini në deklaratën e tij nuk u është referuar vetëm shteteve anëtare të NATO-s, por edhe sanksioneve të forta financiare që Perëndimi i ka vënë Rusisë, përfshirë edhe kundër tij personalisht.
Duke folur gjatë një takimi me zyrtarët e tij më të lartë, Putini i ka thënë ministrit të Mbrojtjes dhe komandantit të Shtabit të Përgjithshëm që të vihen në gjendje gatishmërie luftarake forcat bërthamore për neutralizimin e sulmeve të mundshme.
Ndërkohë, guvernatori i Karkivit, ka thënë se trupat ukrainase kanë kontrollin e plotë të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës pas luftimeve në rrugë me forcat ruse. Ushtria ruse u fut në mëngjes në rrugët e qytetit të madh industrial, që shtrihet vetëm 35 kilometra larg kufirit me Rusinë.
Ukraina pretendon se ka vrarë 4.300 rusë gjatë katër ditëve të para të pushtimit rus. Kievi zyrtar njofton gjithashtu se 210 ukrainas civilë kanë mbetur të vrarë. Të dhënat nuk janë verifikuar nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.
Edhe
Ukraina lëshon mbi 400 dronë drejt Moskës teksa Zelensky përballet me protesta
Kryetari i Kievit ka thënë se asnjë ushtar rus nuk është në kryeqytet dhe se ushtria dhe lëvizjet ukrainase të mbrojtjes po e mbajnë me vendosmëri kontrollin e kryeqendrës.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë të dielën në Bundestag se Qeveria ka marrë vendim për dërgimin e armatimit drejtpërdrejt Ukrainës për të ndihmuar trupat e saj në luftën kundër forcave pushtuese të Rusisë. Këtë veprim e ka arsyetuar me atë që e ka quajtur “realitet të ri”, të krijuar nga presidenti rus.
Kancelari ka folur gjatë seancës speciale të së dielës, ku është njoftuar gjithashtu se Gjermania do të ndajë 100 miliardë euro për fondin special për fuqizimin e forcave të veta të armatosura, duke zbatuar kështu kërkesën e NATO-s për shpenzim të 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtje.
Ministrja e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka thënë se Qeveria e saj po përgatit një listë për të goditur oligarkët rusë me sanksione të ashpra për shkak të lidhjes së tyre me Kremlinin. Liz Truss ka thënë se sanksioneve u duhet kohë për ta arritur qëllimin, sikur se ka thënë ajo, shkatërrues, për ekonominë ruse.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
Kombet e Bashkuara kanë njoftuar për më shumë se 400 mijë ukrainas që janë zhvendosur nga vendi prej nisjes së pushtimit rus në orët e hershme të së enjtes.
Ndërkaq në Rusi, pushtimi ushtarak ka nxitur edhe të dielën protesta. Demonstruesit kanë dalë në qytetet ruse, Vlladivostok e Irkutsk. Është raportuar për protesta edhe në qytetet e tjera. Policia ka arrestuar menjëherë disa prej protestuesve.