Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bileta mujore në transport publik prej 9 eurosh uli emetimet e CO2 me 1.8 milionë tonë në Gjermani

Në tre muaj, 52 milionë gjermanë blenë biletë mujore për transportin publik që kushtonte nëntë euro. Në këtë mënyrë, emetimi i dioksidit të karbonit (CO2) u ul me 1.8 milionë tonë, shkruan Reuters. 

Çmimi i deklaruar për transportin me autobus dhe tramvaj, metro dhe linja hekurudhore lokale ishte një përpjekje për të inkurajuar qytetarët që të përdorin më shumë transportin publik për shkak të inflacionit. Organizata kryesore gjermane e transportit publik VDV njoftoi se kjo rezultoi në një reduktim prej 1.8 milionë tonësh të emetimeve të dioksidit të karbonit në tre muajt e kaluar.

Drejtori i kësaj organizate, Oliver Wolff, deklaroi se është e qartë se çmimi i ulët i biletave të transportit publik ka pasur efekt pozitiv ekonomik dhe mjedisor.

Studiuesit nga Universiteti i Potsdamit zbuluan se niveli i ndotjes së ajrit u ul me shtatë për qind. Në raportin e këtij universiteti theksohej se ky është një tregues se sa pozitiv është efekti i transportit publik. Hulumtimet e mëparshme nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) treguan se sa i rëndësishëm është transporti publik ekonomikisht dhe sa kontribuon në mbrojtjen e mjedisit.

Kompania kombëtare hekurudhore Deutsche Bahn njoftoi se vetëm ata kanë shitur 26 milionë bileta dhe se numri i udhëtimeve është rritur me 10 për qind. Anëtarja e bordit të kësaj kompanie, Evelyn Palla, ka vlerësuar se eksperimenti me një çmim prej nëntë eurosh ka “dalë i suksesshëm”.

Një biletë mujore për transportin publik në Berlin kushton zakonisht 107 euro. Megjithatë, shumë tani kërkojnë që të ruhet çmimi eksperimental prej nëntë eurosh, i cili ishte në fuqi deri në muajin e kaluar.