Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se do të ishte i gatshëm të takonte homologun e tij rus, Vladimir Putin nëse kjo do të bënte që t’i jepej fund luftës në Ukrainë.
Gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë së bashku me presidentin francez , Emmanuel Macron, Bideni tha se nuk ka parë ende ndonjë interesim nga ana e Putinit që ta bëjë këtë.
Si Bideni ashtu edhe Macroni theksuan se do të vazhdojnë të qëndrojnë kundër luftës së Rusisë, raportoi BBC-ja të premten.
Udhëheqësi francez e bëri të qartë se ata kurrë nuk do t'i kërkonin Ukrainës të bënte një kompromis që e konsideronte të papranueshëm.
Deklaratat e Bidenit dhe Macronit janë bërë në kohën një zyrtar i lartë ukrainas tha se 10,000 deri në 13,000 ushtarë të Ukrainës janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt.
As Ukraina dhe as Rusia nuk priren të nxjerrin shifra për viktimat, derisa as komentet e këshilltarit presidencial, Mykhailo Podolyak nuk janë konfirmuar nga ushtria ukrainase.
Muajin e kaluar, gjenerali më i lartë amerikan, Mark Milley, tha se rreth 100,000 ushtarë rusë dhe 100,000 ukrainas ishin vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës.
