Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni e di se do të përballet sërish me Trumpin: Gjithçka është në rrezik

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve fillestare në New Hampshire për nominimin republikan në zgjedhjet për presidentin amerikan, duke thënë se gjithçka është në rrezik.

Bideni e ka të qartë që Donald Trump do të jetë kundërshtari i tij në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat konsideron se tashmë kanë filluar.

“Tani është e qartë se Donald Trump do të jetë kandidati republikan. Dhe mesazhi im për vendin është se rreziku nuk mund të jetë më i lartë. Demokracia jonë. Liritë tona personale, nga e drejta për të zgjedhur te e drejta për të votuar. Ekonomia jonë, e cila ka përjetuar shërimin më të fortë në botë që nga Covidi. Gjithçka është në rrezik”, ka thënë Biden.

Bideni ka falënderuar votuesit demokratë që shkruan emrin e tij në New Hampshire, ku nuk ka bërë fushatë apo edhe nuk është paraqitur në fletëvotim për shkak të mosmarrëveshjeve midis demokratëve vendas dhe kombëtarë.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që nënshkruan emrin tim këtë mbrëmje në New Hampshire. Ishte demonstrim historik i përkushtimit ndaj procesit tonë demokratik”, ka shtuar ai.

Trumpi mposhti Nikki Haleyn dhe fitoi zgjedhjet kryesore në New Hampshire të martën. New Hampshire ishte pika e diskutimit ku ish-presidenti mund të mos fitonte, por tani duket e sigurt që ai do të jetë kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në nëntor të këtij viti.

Edhe Bideni dhe Trumpi thumbojnë njëri-tjetrin, gara për zgjedhjet presidenciale në SHBA po nxehet Botë Bideni dhe Trumpi thumbojnë njëri-tjetrin, gara për zgjedhjet presidenciale në SHBA po nxehet

Në vitin 2020, Bideni mposhti me epërsi të lartë Trumpin.