Botë

Bideni do t’u japë status të ligjshëm imigrantëve të martuar me shtetas amerikanë

Joe Biden

Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shpallur një politikë të re, që synon mbrojtjen nga dëbimi të qindra mijëra imigrantëve që janë të martuar me shtetas amerikanë, por që nuk i posedojnë dokumentet amerikane për vete, raporton BBC.

Kjo politikë do të zbatohet për personat të cilët kanë qenë në vend për të paktën 10 vjet dhe do të lejohen që të punojnë në SHBA ligjërisht. 

Shtëpia e Bardhë beson se më shumë se 500 mijë bashkëshortë të qytetarëve amerikanë do të përfitojnë, krahas 50 mijë të rinjve nën moshën 21 vjeçare, prindi i të cilit është i martuar me një shtetas amerikan.

Më herët në qershor, Bideni ishte zotuar se do ta shndërronte sistemin e imigracionit në SHBA, në një sistem më të drejtë.

Sondazhet tregojnë se imigrimi është njëri prej shqetësimeve kryesore për shumë votues përpara zgjedhjeve presidenciale të këtij nëntori.

Njoftimi vjen pak përpara shënimit të 12-vjetorit të programit Daca, i shpallur nga ish-presidenti Barack Obama në vitin 2012, përmes së cilit mbi 530 mijë imigrantë që erdhën në SHBA si fëmijë, të njohur si ëndërrimtarët, u shpëtuan nga dëbimi.

Të hënën, zyrtarë të lartë të administratës së Bidenit bënë të ditur se ata që do të kualifikohen do të kenë tre vjet kohë për të aplikuar për qëndrim të përhershëm dhe do të kenë leje pune trevjeçare.
Shtëpia e Bardhë po planifikon gjithashtu të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e vizave për imigrantët pa dokumente, të cilët kanë ndjekur studimet dhe kanë diplomuar në universitetet amerikane, ose që kanë marrë një ofertë pune në fushën e tyre.

Njoftimi i presidentit Biden vjen dy javë pasi ai lëshoi një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës që u lejon zyrtarëve amerikanë që të dëbojnë emigrantët që hyjnë ilegalisht në SHBA pa përpunuar kërkesat e tyre për azil.