Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Biden: Shpresojmë që të lirohen sa më shumë pengje amerikane nga Hamasi

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se shpreson që të lirohen sa më shumë amerikanë që janë marrë peng në Gaza, raportoi BBC-ja.

Të dielën, Bidenit i është kërkuar një përditësim për amerikanët e tjerë që ende po mbahen në Gaza dhe çdo informacion se kur ose nëse ata mund të lirohen.

"Ne kemi shpresë, por nuk kam asgjë për t'ju thënë me vendosmëri në këtë moment. Po kërkojmë kohë për t'i dhënë fund kësaj, në mënyrë që pengjet të lirohen të gjithë dhe Hamasi të mos kontrollojë më asnjë pjesë të Gazës”, ka thënë ai.

Bideni ka shtuar se lirimet e sotme të pengjeve vijnë si rezultat i "diplomacisë intensive të SHBA-së".

"Ne vazhdojmë të bëjmë presion dhe presim që edhe amerikanë të tjerë të lirohen. Nuk do të ndalojmë së punuari derisa çdo peng të kthehet te të dashurit e tyre”, është shprehur ai.

Presidenti amerikan ka thënë se administrata e tij do të punojë për ta zgjatur marrëveshjen që ka sjellë lirimet e pengjeve dhe ka bërë që luftimet në Gaza të ndalen përkohësisht.