Botë

Biden: Jam vetëm tre vjet më i vjetër se Trumpi

Donald Trump dhe Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka deklaruar se është vetëm tre vjet më i vjetër se kandidati i republikanëve, Donald Trump, duke iu përgjigjur kritikëve për performancën e dobët në debatin presidencial.

Ai ka deklaruar se i kupton njerëzit që ia kujtojnë përherë moshën.

“Unë jam i vjetër, por jam vetëm tre vjet më i vjetër se Trumpi. Jam i moshuar. E kuptoj pse njerëzit thonë 'Zot, ai është 81-vjeçar. Çfarë do të bëhet kur të jetë 83-vjeçar, 84'. Është një pyetje legjitime për t'u bërë", ka deklaruar Biden për BBC-në.

Ai ka shtuar se mprehtësia e tij mendore në debat me Trumpin ishte e mirë, duke thënë se po merrej me prezantimin e punëve të bëra gjatë mandatit për amerikanët.

Bideni ka deklaruar se ishte gabim kur u shpreh se "Trumpi duhej të vihej në shënjestër", derisa e sqaroi se e kishte pasur fjalën që qytetarët duhet të përqëndrohen tek fjalët e tij. Sipas tij, demokratët duhet t'i shikojnë politikat dhe deklarimet e rreme të Trumpit që i bëri në debatin presidencial.