Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Biden do të takohet me familjen e George Floydit

Foto: Reuters

Kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden, do të udhëtojë në Houston të hënën dhe do të takohet me familjen e George Floydit, dy javë pas vdekjes së tij në paraburgim të policisë, ngjarje që ka ngjallur protesta në mbarë SHBA-në për padrejtësi racore, kanë njoftuar dy ndihmës të Bidenit.

Biden pritet të ngushëllojë familjen e Floydit dhe ta xhirojë një video-mesazh për funeralin e Floydit, që pritet të mbahet më vonë të hënën në Houston.

Ai nuk pritet të marrë pjesë në varrim, për të evituar ndonjë pengesë që mund të shkaktohet nga ekipi i mbrojtjes së tij.

Afro-amerikani Floyd vdiq pasi një polic kishte vendosur gjurin në qafën e tij për disa minuta. Ai ishte ankuar disa herë gjatë atyre çasteve se nuk po mund të marrë frymë. Incidenti ishte xhiruar, duke nxitur protesta masive nëpër SHBA dhe nëpër botë.

Bideni ka kritikuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump për reagimin e tij ndaj protestave, që kryesisht kanë qenë paqësore, por herë pas here kanë eskaluar në përleshje të dhunshme dhe në dëmtime të pronave.

Trump, republikan, u ka bërë thirrje autoriteteve që të shtypin protestat.