Beteja e ashpër për qytetin e largët është e ndërthurur me bisedimet e ngadalta për paqe. Houthit shpresojnë se me kapjen e Maribit do të kenë avantazh në bisedime. Ndërkohë, zyrtarët e qeverisë janë ankuar se gatishmëria amerikane dhe ndërkombëtare për nxitjen e luftës së pafundme ia ka pamundësuar që të armatoset siç duhet për të fituar në Marib
Dy luftëtarë rrinë krah për krah në majë të malit. Kanë pamje të qartë të pozicionit të armikut. Janë pjesë e linjës së fundit të mbrojtjes mes fortifikatës së fundit në veri të Jemenit, të cilën rebelët houthi duan ta marrin.
Hassan Saleh dhe vëllai i vogël Saeed, të dy në fillim të të njëzetave, kanë luftuar përkrah luftëtarëve të tjerë të Qeverisë në periferi të qytetit të pasur me naftë, Marib. I rezistuan ofensivës së gjatë nga rebelët e përkrahur nga Irani. Thonë se kanë nevojë për më shumë armatim e qëllim që të mbajë larg territorit armikun.
“Na duhen snajperë”, thotë Hassan, që po zinte pozicionin në istikamin prej rëre në rajonin malor të Kassaras. Krejt luftëtarët kanë kallashnikovë të vjetër dhe mitralozat e montuar në furgonë.
Kjo është vija e frontit më aktive e luftës civile gati shtatëvjeçare në Jemen. Një grumbull ushtarësh vriten ose plagosen përditë nga të dyja palët, edhe kur ashpërsohet presioni ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës. Me gjithë raundin e ri të bisedimeve të paqes, kësaj here të udhëhequra nga Omani, qyteti i shkretëtirës Marib, mbetet thelbi i një prej konflikteve më të thella në botë.
Houthit për vite me radhë janë përpjekur që ta marrin Maribin ashtu që ta kenë plotësisht kontrollin mbi gjysmën veriore të Jemenit. Mirëpo që nga muaji shkurt kanë organizuar sulme të ashpra, duke bombarduar qendrën e qytetit me raketa dhe me dronë. Që prej asaj kohe kanë vrarë dhe plagosur me qindra civilë.
Deri më tani, rebelët kanë avancuar pak, duke hyrë ngadalë në shkretëtirë, për shkak të sulmeve ajrore saudite që kanë lënë të vdekur qindra rebelë. Zyrtarët e qeverisë kanë vlerësuar se që prej muajit shkurt shumica e të vrarëve dhe të plagosurve ishin rebelë. Në kryeqytetin e kontrolluar nga houthit, Sannan, funeralet e njëpasnjëshme dhe njoftimet për vdekjen e ushtarëve, shumica fëmijë, tregojnë se sa e kushtueshme ka qenë lufta, ani pse houthit nuk publikojnë kurrë shifra zyrtare të vdekjeve.
Beteja e ashpër për qytetin e largët është e ndërthurur me bisedimet e ngadalta për paqe. Houthit shpresojnë se me kapjen e Maribit do të kenë avantazh në bisedime. Ndërkohë, zyrtarët e qeverisë janë ankuar se gatishmëria amerikane dhe ndërkombëtare për nxitjen e luftës së pafundme ia ka pamundësuar që të armatoset siç duhet për të fituar në Marib.
Presioni i SHBA-së
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë presion koalicionit të prirë nga Arabia Saudite që mbështet qeverinë të mos sigurojë më shumë armë nga frika se mund të bien në duart e militantëve. Kjo për shkak të shqetësimeve për “paaftësinë” e Qeverisë, thotë një zyrtar i Jemenit, duke folur në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar të fliste për këto çështje.
“Ndodhemi në udhëkryq”, thotë kryetari i Maribit, Sheikh Sultan al-Aradah, duke argumentuar se armët janë të nevojshme për të mbrojtur qytetin. “Bota i ka rezervat e veta sa i përket armatosjes së Jemenit në këto kohë”.
Maribi, 115 kilometra në lindje të kryeqytetit Sanaa, shtrihet buzë shkretëtirës së madhe të Jemenit. Është portë strategjike nga malësia qendrore e deri te provincat jugore e lindore. Është shtëpi e fushave të naftës dhe të gazit, në të cilat kanë interes të madh edhe firmat e njohura si Exxon Mobil Corp dhe Total SA. Fabrika e mbushjes së gazit natyror prodhon gaz për shtetin me 29 milionë banorë. Termocentrali i dikurshëm i Jemenit siguronte 40 për qind të energjisë elektrike.
Stabiliteti i tij relativ në vitet e kaluara e bëri atë një strehë për ata që iknin në frontet e tjera të luftës. Zona, e cila para luftës kishte një popullsi prej 400 mijë banorësh, tani strehon 2.2 milionë të zhvendosur, shumica e tyre të vendosur nëpër kampe.
Rrugët e qytetit janë plot taksi dhe automjete 4x4 në lëvizje që u përkasin forcave të sigurisë. Natën, burrat frekuentojnë restorante dhe kafene ose mblidhen në shtëpi, duke përtypur gjethe të katit për një efekt stimulues. Pak u kushtohet vëmendje luftimeve që zhvillohen pak më larg qytetit të tyre.
Varre të shumta
Mirëpo postblloqet e komandantëve dhe ushtarëve të rënë shërbejnë për kujtesë. Varrezat e qytetit janë zgjeruar duke u mbushur me varret e të rënëve.
“Varrosim nga 10 deri në 15 njerëz çdo ditë, shumica dëshmorë të luftës”, thotë Mohammed Saeed Nasser, roje e varrezave.
Spitali kryesor në Marib është mbingarkuar nga dhjetëra luftëtarë të plagosur në ditë, thotë drejtori Mohamed Abdo al-Qubati. Në një njësi të kujdesit intensiv kishte 10 pacientë. Të gjithë, përveç njërit, ishin luftëtarë të plagosur.
Në një nga shtretërit, Ali Saad, 22 vjeç ishte pjesërisht i paralizuar. U qëllua nga një snajper houthi në vijën e frontit më 18 qershor.
Saad ka luftuar në forcat qeveritare që nga viti 2017. Gjatë asaj kohe, ai dhe familja e tij u larguan nga shtëpia e tyre në provincën jugperëndimore Dhamar, ndërsa lufta u përshkallëzua. Më vonë, ai u kap dhe u mbajt për një vit në një burg houthi derisa u la i lirë në një marrëveshje për shkëmbim të burgosurish muajin tetor.
“Kam vuajtur shumë në robëri, jam torturuar fizikisht dhe mendërisht”, thotë ai. “Kjo na dha një pamje të shkurtër se si ishin me të vërtetë houthit. Dolëm me një vullnet më të fortë dhe të papërshkrueshëm për t’i luftuar ata”, thotë Saad. Babai i tij dhe një nga tre vëllezërit u plagosën gjithashtu në frontin Marib në fillim të këtij viti.
Lufta civile e Jemenit filloi në vitin 2014, kur houthit e pushtuan Sanaan dhe pjesën më të madhe të veriut, duke detyruar qeverinë e presidentit Abed Rabbo Mansour Hadi të largohej.
Koalicioni i udhëhequr nga sauditët, i mbështetur në atë kohë nga SHBA-ja, hyri në luftë për të provuar rikthimin e Hadiut në pushtet. Mes fushatës së pamëshirshme ajrore dhe luftimeve tokësore, në luftë kanë mbetur të vdekur më shumë se 130 mijë njerëz dhe është nxitur kriza më e rëndë humanitare në botë. Ajo gjithashtu ka krijuar konflikte më të vogla, paralele, midis militantëve dhe fraksioneve të ndryshme brenda vendit.
Pas vitesh të tëra me kritika mbi viktimat civile të sulmeve ajrore, administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në shkurt tërhoqi mbështetjen e saj për fushatën e koalicionit në Jemen.
Qeveria dhe zyrtarët ushtarakë të Jemenit thonë se vendimi, së bashku me heqjen e houthive nga një listë e terrorizmit në SHBA, trimëroi rebelët në Marib.
“Houthit duket se llogarisin që nëse fitojnë në Marib do të kenë fituar luftën për veriun e Jemenit ndërsa poshtërojnë presidentin e njohur ndërkombëtarisht”, thotë Peter Salisbury, ekspert për Jemenin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. “Ky është një çmim i konsiderueshëm për houthit, pasi do t’i lejonte që gjithashtu të diktojnë kushte për t'i dhënë fund luftës”.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, thotë se administratës i kishte ardhur në majë të hundës situata me houthit dhe ishte tmerruar nga sulmet e njëpasnjëshme në Marib. Ai kundërshtoi rebelët për vazhdimin e ofensivës, pavarësisht se para tyre ndodhte një propozim serioz për paqe.
Mosmarrëveshjet për paqen
Një delegacion i Omanit zhvilloi bisedime në Sanaa me udhëheqësit houthi, duke përfshirë udhëheqësit fetarë dhe ata ushtarakë të grupit, Abdel-Malek al-Houthi. Një diplomat saudit, ndërkohë, thotë se ka pasur përpjekje të vazhdueshme, duke përfshirë bisedime të drejtpërdrejta Saudite-Houthi që nga viti 2019 për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Ai foli në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret.
Rebelët duan rihapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Sanaa, një lidhje jetike për Jemenin me botën e jashtme që nuk ka parë fluturime të rregullta komerciale që nga viti 2015, si dhe heqjen e kufizimeve në portin jetik të Hodeida të Detit të Kuq, të mbajtur nga houthit.
Salisbury thotë se negociatat kanë ngecur në atë që përmendët së pari. Houthit, thotë ai, duan një marrëveshje më vete për aeroportin dhe Hodeidan përpara se ta negociojnë një armëpushim. Arabia Saudite dhe qeveria e Jemenit duan një marrëveshje pako për të gjitha ato çështje.
“Derisa të mund të plotësohet hendeku, pres që ofensiva në Marib të vazhdojë”, thotë ai.
Përktheu: Gent Mehmeti